**Shoqatat e Dala nga Lufta Protestojnë para Zyrave të BE-së: Gjykata Speciale është e Padrejtë**
Përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta kanë zhvilluar një protestë simbolike para zyrave të Bashkimit Evropian, duke shprehur kundërshtimin e tyre ndaj Gjykatës Speciale dhe duke kërkuar rishqyrtimin e rezolutës së Këshillit të Evropës, mbi të cilën është ndërtuar procesi i saj. Lajmin e raporton Ekonomia Online.
Xhavit Jashari, nga Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve, theksoi se pretendimet e raportit të Dick Marty-t nuk janë vërtetuar dhe se, sipas tij, Gjykata Speciale nuk do të duhej të ekzistonte fare.
“Ky aksion simbolik para zyrave të Bashkimit Evropian dëshmon se Gjykata Speciale u krijua bazuar në shpifjet e raportit të Dick Marty-t dhe rezolutën e Këshillit të Evropës. Edhe pse u krijua një komision për të hetuar ato pretendime, asgjë nuk u vërtetua dhe nuk u faktua për akuzat ndaj krerëve. Për këtë arsye, ne kemi theksuar vazhdimisht se, duke qenë se asgjë nga ajo që u sajua në raportin e Dick Marty-t nuk është faktuar, kjo gjykatë nuk do të duhej të ekzistonte,” shpjegoi Jashari.
Ai kërkoi gjithashtu një reagim institucional dhe angazhim diplomatik për rishqyrtimin e rezolutës së Këshillit të Evropës.
“Përtej mbështetjes dhe solidaritetit tonë të vazhdueshëm prej gjashtë vitesh me familjet dhe vetë krerët e ndaluar, besojmë se institucionet tona do të duhej të reagonin dhe t’i kërkonin Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës dhe Parlamentit Evropian të rishqyrtojnë dhe analizojnë rezolutën mbi të cilën u ndërtua kjo padrejtësi e vazhdueshme. Kjo gjykatë, sipas tij, po godet luftën e shenjtë dhe të drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, lavdinë e saj, shtetësinë e Kosovës dhe dinjitetin kombëtar në përgjithësi,” tha ai.
Jashari u bëri thirrje institucioneve dhe deputetëve të angazhohen përmes diplomacisë dhe rrugëve ligjore. Ai theksoi edhe nevojën për miratimin e një neni, i cili, sipas tij, do të forconte qëndresën ndaj Gjykatës Speciale.
“Shpresojmë dhe bëjmë thirrje për një unitet të fuqishëm për të kontribuar në të gjitha drejtimet, si në diplomaci, ashtu edhe në fushën ligjore. Ka ndodhur një goditje e rëndë kur një projektligj u kthye prapa në Kuvend, dhe mendoj se ky proces duhet të ecë përpara sa më shpejt. U bëjmë thirrje deputetëve, siç kemi kërkuar ne, organizatat e dala nga lufta, të miratojnë vetëm një nen – atë nen që kundërshton këtë gjykatë raciste dhe të padrejtë, e cila, në vend që të marrë vendime gjyqësore dhe të lirojë krerët që mbahen padrejtësisht, ka marrë një vendim politik dhe ka shqiptuar dënime shumë të larta dhe të padrejta,” përfundoi Jashari.
Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, po ashtu kritikoi ashpër Gjykatën Speciale, duke shprehur pakënaqësi të thellë për deklaratat e zëvendësprokurorit të saj dhe për mungesën e reagimit nga institucionet e Kosovës.
“Para pak ditësh dëgjuam një skandal, ku zëvendësprokurori i Gjykatës Speciale na etiketoi si kriminelë, duke përfshirë presidentin dhe të tjerët. Kjo është e papranueshme për ne dhe qytetarët e Kosovës. Ai na krahasoi me popullin serb, i cili gjoja varros Mladic-in si hero, ndërkohë që ai ishte një kriminel lufte. Është e pakuptueshme pse asnjë zyrtar i institucioneve të vendit, qoftë edhe nga Ministria e Drejtësisë, nuk ka reaguar ndaj këtij zyrtari të dytë më të lartë të Gjykatës Speciale, për t’i thënë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ishte ushtri kriminale, nuk kreu masakra ndaj grave, fëmijëve e të moshuarve apo nuk dogji shtëpi në Serbi. Ne mbrojtëm vendin tonë dhe kombësinë tonë, dhe sot gëzojmë lirinë të gjithë të barabartë,” tha Gucati.
