**IQMT-ja zbulon parregullsi te bizneset online: Produkte pa kuponë fiskalë dhe dokumentacion**

**Prishtinë** – Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) po intensifikon kontrollet ndaj bizneseve që veprojnë online, duke u fokusuar në mënyrë të veçantë te mbikëqyrja e produkteve gjatë transportit drejt konsumatorëve.

Këto aktivitete po kryhen nga ekipet e IQMT-së në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Administratën Tatimore të Kosovës (ATK) dhe Autoritetin Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP). Inspektimet e shërbimeve postare janë shtrirë në mbarë territorin e Republikës së Kosovës.

Deri tani, dhjetë ekipe inspektuese kanë kryer mbi 24 kontrolle. Gjatë këtyre inspektimeve, janë evidentuar raste kur produktet tregtoheshin pa kuponë fiskalë. Po ashtu, janë zbuluar mungesa të deklaracionit të prejardhjes së produkteve dhe dokumentacionit shoqërues.

Në bazë të ligjit për IQMT-në, inspektorët u kanë dhënë afat subjekteve të prekura për të paraqitur dokumentacionin e nevojshëm. Në rast të mosrespektimit të afatit, do të ndërmerren masat ligjore përkatëse, duke përfshirë konfiskimin e produkteve dhe vendosjen e gjobave.

Aksioni i mbikëqyrjes përfshin gjithashtu inspektimin e faqeve online të bizneseve, reklamave të produkteve, si dhe trajtimin e ankesave të paraqitura nga konsumatorët.

Përveç tetë komunave kryesore të vendit, aktivitetet inspektuese janë shtrirë edhe në komunat e rajonit të Dukagjinit, konkretisht në Klinë, Istog, Deçan, Junik, Rahovec, Malishevë, Suharekë dhe Dragash.

IQMT-ja thekson përkushtimin e saj në forcimin e mbikëqyrjes së tregut, mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së ndershme. Qëllimi është të sigurohet që çdo produkt i tregtuar në Republikën e Kosovës të jetë në përputhje të plotë me kërkesat ligjore.