Shoqata e Qumështorëve i bën thirrje Qeverisë për mbrojtje financiare të fermerëve: Vonesat në pagesa rrezikojnë sektorin
**Prishtinë** – Shoqata e Qumështorëve të Kosovës (SHQK) i ka bërë apel Qeverisë së Kosovës që të marrë masa urgjente për mbrojtjen financiare të fermerëve të qumështit. SHQK-ja kërkon zbatimin e ligjeve ekzistuese dhe plotësimin e kuadrit ligjor për të garantuar pagesat në kohë për produktin e tyre.
Përmes një deklarate, SHQK-ja thekson se vitet e fundit kanë përballur fermerët me teprica të qumështit, ulje drastike të çmimeve, refuzim të grumbullimit dhe vështirësi të mëdha në arkëtimin e pagesave. Edhe pas tejkalimit të problemeve me tepricat dhe grumbullimin, Shoqata thekson se borxhet e akumuluara për qumështin e dorëzuar vazhdojnë të rëndojnë fermerët.
“Qumështi dorëzohet çdo ditë. Pagesat vonohen. Kush i mbron fermerët?”, pyet SHQK-ja në reagimin e saj.
Shoqata paralajmëron se vonesat në pagesa rrezikojnë seriozisht vazhdimësinë e fermave, punësimin dhe furnizimin me qumësht vendas. Shpenzimet thelbësore, si ato për ushqimin e kafshëve, pagat e punëtorëve dhe këstet e kredive, nuk mund të presin. “Mungesa e pagesave rrezikon seriozisht mbijetesën e fermave dhe sigurinë e furnizimit”, thuhet në deklaratë.
Për të ilustruar seriozitetin e situatës, Shoqata përmend raste nga disa vende evropiane, si Estonia, Letonia dhe Bullgaria, ku fermerët dhe prodhuesit e qumështit janë përballur me borxhe të papaguara dhe falimentime të qumështoreve.
Bazuar në këto përvoja, SHQK-ja kërkon që kontratat dhe afatet e pagesës të shoqërohen me garanci financiare dhe zbatim efektiv të ligjeve. Në këtë drejtim, Shoqata i ka paraqitur Qeverisë dy kërkesa kryesore: zbatimin efektiv të ligjeve ekzistuese dhe plotësimin e kuadrit ligjor për mbrojtjen e fermerëve.
Në kuadër të zbatimit të ligjeve ekzistuese, SHQK kërkon:
* Zbatimin efektiv të Ligjit për kamatëvonesat në transaksionet tregtare.
* Rritjen e efikasitetit të procedurave përmbarimore për arkëtimin e borxheve.
* Vlerësimin dhe garantimin e mbrojtjes së fermerëve dhe pikave grumbulluese në rastet e falimentimit të qumështoreve.
Ndërkaq, për plotësimin e bazës ligjore, Shoqata propozon masat si:
* Përcaktimin e një afati maksimal prej 30 ditësh për pagesën e qumështit të freskët.
* Vendosjen e kontratave të detyrueshme me shkrim.
* Krijimin e mekanizmave të garancisë financiare.
* Shqyrtimin e krijimit të një fondi garantues ose mekanizmi sigurimi për pagesat e fermerëve në rastet kur qumështoret nuk janë në gjendje të paguajnë borxhet.
* Dhënien përparësi kërkesave të fermerëve në procedurat e falimentimit.
SHQK-ja ka kërkuar gjithashtu krijimin e një grupi ndërinstitucional, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të sektorit, për të vlerësuar zbatimin e ligjeve aktuale dhe për të përgatitur ndryshimet e nevojshme ligjore.
Në fund, Shoqata thekson me forcë se barra e borxheve të industrisë nuk duhet të bjerë mbi fermerët. “Fermerët nuk duhet të mbajnë barrën financiare të borxheve të industrisë. Nga vështirësitë në arkëtimin e borxheve duhet të kalojmë te parandalimi i krijimit të tyre!”, theksohet në deklaratë.
“MBROJTJA FINANCIARE E FERMERËVE ËSHTË KUSHT PËR ZHVILLIMIN E PRODHIMIT VENDAS!”, përfundon reagimi i Shoqatës së Qumështorëve të Kosovës.
