Dy të dyshuar arrestohen në Pejë, pasi fyenin një grua dhe kërcënuan policët

**Pejë** – Dy persona janë arrestuar në Pejë, pasi dyshohet se fillimisht kanë fyer me fjalë ofenduese një grua në një lokal, e më pas kanë kërcënuar tre zyrtarë policorë që ndërhynë në rast.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë, rasti ka ndodhur në Pejë, ku gjatë procesit të arrestimit, njëri prej të dyshuarve dhe një zyrtar policor pësuan lëndime trupore.

Të dyshuarit, të cilët ishin nën ndikimin e alkoolit, fillimisht kishin fyer viktimën femër me fjalë fyese dhe më pas kishin kërcënuar tre zyrtarët policorë që u paraqitën në vendngjarje. Raporti shton se gjatë arrestimit, njëri nga të dyshuarit dhe një polic morën trajtim mjekësor për lëndimet e pësuara.

Gjatë transportit për në stacionin policor, i dyshuari tjetër vazhdoi të kërcënonte zyrtarët policorë.

Me vendim të prokurorit, të dy të dyshuarit janë dërguar në qendrën e mbajtjes.