Mbrojtësi Virgil van Dijk dhe sulmuesi Brian Brobbey nuk do të jenë pjesë e Kombëtares së Holandës për ndeshjet e radhës ndërkombëtare. Të dy lojtarët janë tërhequr nga grumbullimi për shkak të problemeve fizike.
Klubi i Liverpool-it konfirmoi largimin e kapitenit të tij, Van Dijk, përmes një postimi në rrjetet sociale. Van Dijk luajti 90 minuta të plota në fitoren 3-1 të Liverpool-it ndaj Crystal Palace pak ditë më parë. Ndërkohë, sulmuesi i Ajax-it, Brobbey, u detyrua të linte fushën para kohe gjatë një ndeshjeje të fundit të kampionatit holandez, për shkak të dëmtimit.
Trajneri i Holandës, Ronald Koeman, ka bërë të ditur se nuk do të thërrasë zëvendësues për dy lojtarët e larguar. Kështu, skuadra portokalli do të vazhdojë grumbullimin me 23 lojtarë për ndeshjet e parashikuara.
Deri më tani, asnjëri prej klubeve përkatëse nuk ka bërë publike një afat kohor për rikuperimin e plotë të dy lojtarëve.
