**Nis aksioni për menaxhimin e qenve endacakë në Pejë, apelohet për bashkëpunim nga pronarët**
Pejë – Drejtoria për Bujqësi, Pylltari dhe Hidroekonomi në Komunën e Pejës ka nisur aksionin për menaxhimin e qenve endacakë në qytet, duke apeluar njëkohësisht te pronarët e qenve që të mos i lëshojnë kafshët e tyre të lira në hapësira publike. Gjithashtu, u kërkohet të mos pengojnë ekipet që janë angazhuar në terren për realizimin e këtij aktiviteti.
Përmes një njoftimi të publikuar në rrjetin social Facebook, kjo drejtori bëri të ditur se kompania e kontraktuar për trajtimin dhe menaxhimin e qenve endacakë tashmë po zhvillon aktivitetet e parapara.
Në këtë kuadër, pronarëve të qenve u është kërkuar të bashkëpunojnë me ekipet e angazhuara dhe të shmangin çdo pengesë gjatë punës së tyre.
“Drejtoria për Bujqësi informon të gjithë qytetarët se kompania e kontraktuar për trajtimin dhe menaxhimin e qenve endacakë është duke realizuar aktivitetet e saj në terren. Me këtë rast, kërkojmë nga pronarët e qenve që të mos pengojnë punën e ekipit të angazhuar, si dhe të mos i lëshojnë qentë e tyre të lirë në hapësira publike,” theksohet në njoftimin e drejtorisë.
