Gjashtë ushqime që forcojnë kockat dhe ulin rrezikun e osteoporozës
Ndërsa mendojmë shpesh për qumështin si burim kryesor për kocka të shëndetshme, një sërë ushqimesh, nga kumbullat e thata te sardelet dhe kosi, ofrojnë lëndë ushqyese thelbësore për mirëmbajtjen e tyre. Megjithatë, ekspertët theksojnë se asnjë ushqim i vetëm nuk mund të garantojë mbrojtje të plotë ndaj osteoporozës apo frakturave.
Indi kockor është në një proces të vazhdueshëm rinovimi, ku indet e vjetra shpërbëhen dhe zëvendësohen me të reja. Por, me kalimin e moshës, trupi mund të humbasë masë kockore më shpejt sesa arrin ta rindërtojë. Ky proces intensifikohet sidomos te gratë gjatë menopauzës, për shkak të rënies së nivelit të estrogjenit.
Doktoreshë Pamela Peeke, drejtuese mjekësore në Osteoboost, shpjegon se “kockat tona arrijnë dendësinë maksimale rreth moshës 30-vjeçare. Pas kësaj, masa kockore fillon të pakësohet gradualisht”. Të dhënat nga SHBA-ja tregojnë se pothuajse 13% e personave mbi 50 vjeç vuajnë nga osteoporoza, ndërsa rreth 43% kanë masë të ulët kockore.
Kalciumi dhe vitamina D janë thelbësorë, por nuk janë të vetmet lëndë ushqyese kyçe. Proteinat, magnezi dhe përbërës të tjerë luajnë gjithashtu një rol të rëndësishëm në mirëmbajtjen e kockave. Siç thekson dietologia Bonnie Taub-Dix, “nëse kalciumi është Batmani, vitamina D është Robini. Por asnjë hero nuk e shpëton situatën i vetëm”.
Më poshtë renditen gjashtë ushqime që mund të ndihmojnë në ruajtjen e kockave të forta me kalimin e viteve:
**1. Kumbullat e thata**
Kumbullat e thata njihen zakonisht për ndikimin e tyre në tretje, por kërkimet sugjerojnë se ato mund të ndihmojnë edhe në ruajtjen e masës kockore. Një studim i vitit 2022 i kryer mbi 235 gra pas menopauzës zbuloi se konsumimi i 5-6 kumbullave të thata në ditë ndihmoi në ruajtjen e dendësisë kockore në zonën e ijeve gjatë 12 muajve. Në grupin që konsumoi kumbulla të thata, dendësia ra me rreth 0.3%, krahasuar me 1.1% te gratë që nuk i konsumuan. Dietologia Taub-Dix shprehet: “Kumbullat e thata janë konsideruar vetëm si ndihmë për tretjen për një kohë tepër të gjatë. Po të ridizenjoja paketimin, tretja dhe shëndeti i kockave do të kishin të njëjtën rëndësi”. Ato përmbajnë kalium, vitaminë K, bor dhe polifenole – përbërës bimorë që ndikojnë pozitivisht në metabolizmin kockor. Mund t’i shtoni në tërshërë, t’i kombinoni me arra ose t’i konsumoni mes vakteve. Për të shmangur shqetësimet e tretjes, sasia mund të rritet gradualisht.
**2. Sardelet, bashkë me halat e buta**
Sardelet e konservuara ofrojnë një burim të shkëlqyer kalciumi, falë halave të tyre të buta dhe të ngrënshme. Një racion prej rreth 85 gramësh sardele me hala përmban afërsisht 325 miligramë kalcium, rreth një të katërtën e sasisë ditore të rekomanduar për gratë mbi 50 vjeç sipas udhëzimeve dietike amerikane. Për krahasim, një gotë qumësht të lopës përmban rreth 300 miligramë kalcium. Sardelet sigurojnë gjithashtu proteina, vitaminë D dhe acide yndyrore omega-3. “Sardelet e kanë kalciumin të përfshirë në vetvete. E njëjta gjë vlen për salmonin e konservuar, nëse konsumohen edhe halat”, shpjegoi Taub-Dix. Ajo sugjeron që halat e buta të shtypen dhe të përzihen me mishin e peshkut. Variantet pa hala përmbajnë dukshëm më pak kalcium. Për një vakt të thjeshtë, sardelet mund të përzihen me limon, mustardë dhe vaj ulliri e të shërbehen mbi bukë të thekur integrale.
**3. Tofu i përgatitur me kalcium**
Tofu mund të jetë një burim i mirë kalciumi, por përmbajtja e tij ndryshon sipas mënyrës së prodhimit. Tofu i fortë, i përgatitur me sulfat kalciumi, mund të sigurojë rreth 250 miligramë kalcium në një racion prej gjysmë filxhani (rreth 120 gramë). Për sasinë e saktë duhet kontrolluar etiketa e produktit. Soja përmban edhe izoflavone, përbërje bimore me veprim të ngjashëm me atë të estrogjenit. Ato janë studiuar për ndikimin e mundshëm në kockat e grave gjatë periudhës rreth menopauzës dhe pas saj. Një përmbledhje e dhjetë meta-analizave sugjeroi se izoflavonet e sojës mund të përmirësojnë dendësinë minerale të kockave. Megjithatë, Peeke theksoi se rezultatet nuk janë uniforme: disa studime kanë gjetur përfitime modeste, ndërsa të tjera jo. “Është një mundësi, jo një siguri”, tha ajo. Pavarësisht këtij diskutimi, tofu i përgatitur me kalcium ofron një kombinim të dobishëm të proteinave bimore dhe kalciumit, sipas reumatologut dr. Adam Kreitenberg. Taub-Dix këshillon të kërkohet “sulfat kalciumi” në listën e përbërësve dhe të krahasohet përmbajtja e kalciumit mes produkteve. Tofu mund të përdoret në supa, gatime me perime ose pjata të përgatitura në tigan.
**4. Perimet me gjethe të gjelbra**
Disa perime me gjethe të gjelbra përmbajnë sasi të konsiderueshme kalciumi dhe vitamine K. Një filxhan me gjethe lakre të gatuara (si ‘collard greens’), për shembull, siguron afërsisht 266 miligramë kalcium. Vitamina K ndihmon funksionimin e proteinave kyçe në mineralizimin e kockave. Por jo çdo perime me gjethe është njësoj e dobishme si burim kalciumi. Spinaqi përmban oksalate, të cilat lidhin një pjesë të madhe të kalciumit, duke kufizuar kështu përthithjen e tij. Taub-Dix sugjeron alternativa si lakra kale, bok choy (lakra kineze) dhe lakrat me gjethe, ku kalciumi përgjithësisht përthithet më lehtë. Ato mund të gatuhen me hudhër e vaj ulliri ose të shtohen në supa. Individët që marrin antikoagulantin warfarinë duhet ta mbajnë relativisht të qëndrueshme marrjen e vitaminës K dhe të këshillohen me mjekun përpara ndryshimeve të mëdha në dietë, pasi kjo vitaminë ndikon në veprimin e barit.
**5. Farat e kungullit**
Farat e kungullit janë të vogla, por përmbajnë minerale kyçe për shëndetin e kockave. Ato sigurojnë magnez, i cili kontribuon në strukturën e kockave dhe metabolizmin e vitaminës D, si edhe zink, që merr pjesë në formimin dhe riparimin e kockave. Përmbajnë gjithashtu proteina me bazë bimore, duke e bërë të lehtë përfshirjen e disa lëndëve ushqyese në një ushqim të vetëm. Megjithatë, studimet nuk e kanë vërtetuar se konsumimi i farave të kungullit, i vetëm, ul drejtpërdrejt rrezikun e osteoporozës apo frakturave. Mund t’i shtoni në kos, tërshërë, supa ose sallata.
**6. Kosi dhe kefiri**
Produktet e fermentuara të qumështit ofrojnë më shumë sesa thjesht probiotikë. Kosi dhe kefiri përmbajnë kalcium dhe proteina, dy lëndë ushqyese të rëndësishme për ruajtjen e masës kockore dhe muskulore me kalimin e moshës. Një studim i vitit 2021, i kryer mbi më shumë se 7.000 të moshuar në institucione rezidenciale, zbuloi se shtimi i produkteve të qumështit si qumështi, kosi dhe djathi në dietë uli rrezikun relativ të frakturave të të gjitha llojeve me 33% dhe të frakturave të ijeve me 46% gjatë dy vjetëve. Megjithatë, pjesëmarrësit kishin fillimisht një konsum relativisht të ulët të kalciumit dhe proteinave. Ndërhyrja dietike përfshinte disa produkte qumështi, ndaj rezultatet nuk provojnë se vetëm kosi ose kefiri parandalojnë frakturat. Kosi apo kefiri pa sheqer të shtuar mund të kombinohen me fruta pylli, arra ose fara kungulli për një mëngjes apo vakt të ndërmjetëm të pasur me lëndë ushqyese.
**A mjafton ushqimi për të parandaluar osteoporozën?**
Këto ushqime mund të mbështesin shëndetin e kockave, por theksohet sërish se asnjë prej tyre, i vetëm, nuk parandalon osteoporozën apo frakturat. Doktoreshë Peeke shpjegon: “Dendësia kockore është vetëm një tregues. Ajo që njerëzit dëshirojnë vërtet është të mos pësojnë fraktura në ije apo në kyçin e dorës, dhe kjo varet edhe nga fortësia e kockës, si dhe nga rreziku i rënieve.”
Për personat e diagnostikuar me osteoporozë, reumatologu dr. Adam Kreitenberg thekson se ushqyerja zakonisht nuk mjafton për të rikthyer masën kockore të humbur apo për të ulur në mënyrë të ndjeshme rrezikun e frakturave. Përveç dietës, thelbësore janë edhe aktivitetet fizike me ngarkesë peshe, ushtrimet me rezistencë dhe ato për ekuilibrin. Në disa raste, pacientët kanë nevojë edhe për medikamente.
Dr. Peeke sugjeron gjithashtu diskutimin me mjekun për matjen e dendësisë kockore dhe identifikimin e faktorëve që mund të kontribuojnë në humbjen e saj, si çrregullimet e tiroides apo mungesa e vitaminës D. Megjithatë, përfshirja e ushqimeve të pasura me lëndë ushqyese në dietën e përditshme mbetet një hap praktik dhe i rëndësishëm. Dietologia Taub-Dix përfundon: “Kur një vakt përmban dy ose tri prej këtyre ushqimeve, ju po mbështetni shëndetin e kockave pa pasur nevojë për ndonjë përpjekje të veçantë.”
