Juventus Kërkon Ristrukturim të Thellë në Afatin e Dimrit, Synon Tre Përforcime Kyçe

Zyrtarët e Juventusit po punojnë intensivisht dhe në mënyrë diskrete përpara afatit kalimtar të dimrit, duke identifikuar tashmë objektivat kryesorë për të përforcuar skuadrën në vijim të sezonit.

Sipas asaj që raporton e përditshmja italiane “La Gazzetta dello Sport”, “Zonja e Vjetër” planifikon të afrojë tre lojtarë të rinj në ekipin e drejtuar nga Massimiliano Allegri: një mbrojtës të majtë, një mesfushor dhe një sulmues qendre.

Objektivat kryesorë të klubit bardhezi vijnë nga kampionate të ndryshme evropiane. Ndër emrat e përmendur janë mbrojtësi Rayan Ait-Nouri i Wolves, mesfushori Pierre-Emile Hojbjerg i Tottenhamit, si dhe sulmuesi norvegjez Alexander Sorloth nga Villarreal.

Si alternativa për krahun e majtë të mbrojtjes po shqyrtohen spanjolli Alejandro Balde i Barcelonës dhe italiani Destiny Udogie i Tottenhamit. Në mesfushë, ndërkohë që po vlerësohen talente të reja për të ardhmen, nuk është specifikuar një emër konkret. Për repartin ofensiv, në listën e alternativave figurojnë amerikani Folarin Balogun i Monacos, italiani Gianluca Scamacca i Atalantas, si dhe Mateo Retegui i Genoas.

Megjithatë, realizimi i tre transferimeve nuk do të jetë i lehtë. Kjo vjen jo vetëm për shkak të aspektit financiar, pavarësisht rritjes së kapitalit të njoftuar së fundmi që mund të lehtësojë situatën, por edhe për faktit se Juventusi aktualisht ka një skuadër të mbingarkuar me lojtarë.

Për këtë arsye, drejtuesit e klubit torinez synojnë të realizojnë disa largime së shpejti. Ndër lojtarët që pritet të shohin fundin e aventurës së tyre me Juventusin përmenden Arkadiusz Milik dhe Daniele Rugani.