Rastet e fruthit shënojnë rënie në Evropë, megjithatë disa shtete vazhdojnë të përballen me vatra të reja të sëmundjes. Deri tani, gjatë vitit 2026, rreth 2 mijë persona janë infektuar me fruth në Bashkimin Evropian dhe vendet përreth tij.

Të dhënat paraprake nga Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) tregojnë se Evropa pritet të shënojë dukshëm më pak raste këtë vit, krahasuar me vitin 2025. Më konkretisht, sipas të dhënave të ECDC-së deri në shtator 2026, gjatë 12 muajve të fundit janë regjistruar 2.325 raste. Ky numër është thellësisht më i ulët krahasuar me 10.195 raste të raportuara në të njëjtën periudhë të vitit paraardhës, shkruan Euronews.

Megjithatë, disa shtete ende po përballen me vatra të rënda të sëmundjes. Bullgaria dhe Italia kanë shënuar secila rreth 600 raste. Në Itali, numri i infeksioneve ka shënuar rënie të vazhdueshme që prej prillit, kur u regjistruan 173 raste brenda një muaji.

Në Bullgari, ku gjatë gjithë vitit 2025 ishin regjistruar vetëm dy raste, autoritetet shëndetësore dyshojnë se një ndër faktorët kryesorë të shpërthimit të fundit janë dokumentet e falsifikuara të vaksinimit. Në një rajon veçanërisht të prekur, rreth 60% e fëmijëve që figurojnë si të vaksinuar, nuk posedonin antitrupa kundër fruthit, shytave dhe rubeolës.

Raste janë shënuar edhe jashtë Bashkimit Evropian. Në Angli, deri më 9 nëntor janë konfirmuar 1.055 raste, ndërsa Ukraina ka raportuar 653 raste deri në shtator.

Pavarësisht rënies së përgjithshme, ekspertët paralajmërojnë se shpërthimet mbeten një rrezik i pranishëm në komunitetet me shkallë të ulët vaksinimi. Niveli i vaksinimit kundër fruthit në vendet evropiane luhatet nga 68% në Rumani deri në 99% në Hungari.

Fruthi është një sëmundje tejet ngjitëse. Për të parandaluar përhapjen e tij, kërkohet që të paktën 95% e popullsisë të vaksinohet. Dy doza të vaksinës ofrojnë deri në 97% mbrojtje efektive.

Sipas ECDC-së, shumica e rasteve të regjistruara gjatë vitit të fundit i përkasin personave të pavaksinuar. Rreth 28% e të infektuarve ishin fëmijë nën moshën pesë vjeç, ndërsa 51% ishin persona të moshës 15 vjeç e sipër.

Deri në shtator 2026, në vendet e Zonës Ekonomike Evropiane nuk është raportuar asnjë viktimë nga fruthi.