**Albulena Mujaj: Arlinda Zekaj kërkoi takim dhe shprehu pakënaqësi për trajtimin nga policia**
Drejtoresha e Mirëqenies Sociale në Komunën e Pejës, Albulena Mujaj-Bajraktaraj, dëshmoi sot para Komisionit Hetimor për rastin e Arlinda Zekajt se ishte takuar me të ndjerën. Ajo pohoi se Zekaj i kishte kërkuar vetë takimin dhe se gjatë tij kishte shprehur pakënaqësi për trajtimin e rastit nga policia, ndërsa mohoi pretendimet se e kishte detyruar Zekajn të tërhiqte ankesën. “Jo, nuk është e vërtetë,” theksoi Mujaj-Bajraktaraj.
Mujaj-Bajraktaraj sqaroi se takimi kishte ndodhur menjëherë pas paraqitjes së rastit në polici. Sipas saj, rasti ishte raportuar të premten, më 10 korrik, në orët e pasdites, ndërsa Arlinda Zekaj kishte kërkuar takim me drejtoreshën të hënën në mëngjes, sapo ajo kishte nisur punën.
“Normalisht që e kam pritur, e kam pasur bashkëvendase. Njëkohësisht, secilin qytetar që kërkon takim me mua jam në dispozicion ta pres dhe ta udhëzoj, si dhe normalisht të kryej funksionin për shkak të të cilit jam zgjedhur,” u shpreh ajo.
Gjatë takimit, Zekaj kishte shprehur pakënaqësi për trajtimin e rastit nga policia, ku sipas saj, ishte prezent edhe zyrtari për shërbime sociale. Ajo kishte kërkuar që rasti të trajtohej në vazhdimësi me praninë e Ambasadës Amerikane, si dhe kishte shprehur shqetësim për vlerësimin profesional, duke e cilësuar atë si të njëanshëm.
Pas dëgjimit të shqetësimeve të Arlinda Zekajt, Mujaj-Bajraktaraj deklaroi se menjëherë kishte ftuar udhëheqësin e shërbimit social për të udhëzuar palën lidhur me të drejtat dhe procedurat ligjore që duheshin ndjekur. Udhëheqësi i shërbimit social, nga ana e tij, kishte kërkuar nga Arlinda Zekaj t’i dorëzonte kërkesat dhe ankesat me shkrim, në mënyrë që të shqyrtohej mënyra e trajtimit të tyre.
