**Abdixhiku: Çdo brez ka përgjegjësi ndaj atdheut, t’u lëmë fëmijëve një shtet të fortë e të drejtë**

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, uroi shqiptarët me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit. Ai kujtoi rëndësinë historike të kësaj dite dhe sakrificën e brezave për ruajtjen e flamurit kombëtar.

Abdixhiku theksoi se flamuri shqiptar ishte ruajtur ndër breza, madje edhe në periudhat kur shqiptarëve në Kosovë u ndalohej ta shfaqnin apo edhe të ëndërronin lirinë.

Ai rikujtoi se më 28 Nëntor 1912, flamuri i një kombi u bë flamuri i një shteti, duke nënvizuar sakrificën e atyre që e ruajtën atë në shtëpi, në mërgim dhe gjatë luftës për liri.

“Secili brez ka përgjegjësinë e vet ndaj atdheut. Ata para nesh na e lanë flamurin të lirë. Ne u detyrohemi fëmijëve tanë t’u lëmë një shtet të fortë e të drejtë, një shoqëri që di të bëhet bashkë dhe një atdhe ku ata duan ta ndërtojnë jetën e tyre”, ka shkruar Abdixhiku.

Në fund, kreu i LDK-së uroi të gjithë shqiptarët, kudo që ndodhen, për festën e 28 Nëntorit.

“Me fat 28 Nëntori, shqiptarë kudo që jeni!” përfundoi ai.