Përplasje për mozaikun e Nënës Terezë: Autori reagon ashpër, cilëson trajtimin si ‘tragjikomedi’
Don Dominik Kukeli, autori i mozaikut të Nënës Terezë dhe drejtor i Qendrës Social-Edukative “Don Bosko” në Prishtinë, ka reaguar ashpër pas tensioneve dhe përplasjeve rreth vendosjes së veprës artistike në kryeqytet.
Në një postim në Facebook, Kukeli shprehu pakënaqësinë e tij për mënyrën sesi po trajtohet kjo çështje, duke e përshkruar situatën si një ‘tragjikomedi’.
“Nënë Tereza nuk e meriton një trajtim të tillë… nga askush… e aq më pak nga ‘gjaku’ i saj”, shkroi Kukeli, duke theksuar thellësinë e zhgënjimit të tij.
Ai publikoi gjithashtu një fotografi të mozaikut që pritet të vendoset në kryeqytet, duke shtuar: “Ky është Mozaiku për të cilin është duke u bërë gjithë kjo tragji-komedi! (Foto jo profesionale)”.
Reagimi i Kukelit vjen në vazhdën e përplasjes ndërmjet kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, dhe Policisë së Kosovës. Incidenti ndodhi në sheshin “Zahir Pajaziti” dhe lidhej me vazhdimin e punimeve për vendosjen e mozaikut.
Projekti, që nderon figurën e Nënës Terezë, ishte planifikuar të përurohej më 28 Nëntor.
