Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, vizitoi sot në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) tetë personat e lënduar, gjashtë zjarrfikës dhe dy qytetarë, pas zjarrit të rënë në një pallat 12-katësh në kryeqytet.

Ministri theksoi se gjendja shëndetësore e tyre është stabile dhe se ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Në një deklaratë për mediat, Lamallari u shpreh: “Teksa vijon operacioni për vënien nën kontroll të plotë të zjarrit në pallatin e përfshirë nga flakët, isha në QSUT për të parë nga afër gjendjen e 6 efektivëve zjarrfikës të lënduar dhe dy qytetarëve. Fatmirësisht, siç më thanë mjekët, ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Që nga momentet e para të zjarrit kam qenë gjithashtu në terren, bashkë me forca të Shërbimit Zjarrfikës, forca të Policisë së Shtetit dhe skuadrat e Emergjencave Civile, të cilat bënë gjithçka ishte e nevojshme për të mos pasur mbi të gjitha pasoja në jetë njerëzish.”

Informacioni u raportua fillimisht nga Top Channel.