Fisnik Asllani, objektiv i Borussia Dortmund

Sipas raportimeve të “Bild”, sulmuesi kosovar Fisnik Asllani kryeson listën e objektivave të Borussia Dortmundit për afatin kalimtar të verës. Klubi gjerman e sheh sulmuesin e Hoffenheimit si zëvendësues potencial për Serhou Guirassy, i cili pritet të largohet nga “Signal Iduna Park”.

I njëjti raport thekson se Dortmundi tashmë ka nisur kontaktet e para për një transferim të mundshëm gjatë verës.

23-vjeçari Asllani konsiderohet zgjedhja kryesore për repartin sulmues, ndërsa thuhet se ka një klauzolë largimi që varion nga 25 deri në 29 milionë euro.

Përfaqësuesi i Kosovës ka zhvilluar një sezon mbresëlënës në Bundesliga, duke shënuar nëntë gola dhe dhënë gjashtë asistime në 28 ndeshje me Hoffenheimin.

Asllani, produkt i akademisë së Union Berlinit, sezonin e kaluar ishte huazuar te Elversbergu, ku shënoi 18 gola dhe dha nëntë asistime, duke tërhequr vëmendjen e klubeve të mëdha.