Presidenti i Federatës Turke të Futbollit: “Nëse nuk i mposhtim Rumaninë, Kosovën dhe Sllovakinë, nuk e meritojmë Botërorin”

Presidenti i Federatës Turke të Futbollit, Ibrahim Haciosmanoglu, ka folur në prag të ndeshjes gjysmëfinale të “play-off”-it, në të cilën kombëtarja turke do të përballet me Rumaninë nesër, duke nisur nga ora 18:45.

Në rast fitoreje, ekipi turk do të përballet në finale me Kosovën ose Sllovakinë, për një vend në Kampionatin Botëror të këtij viti (SHBA, Kanada, Meksikë). Kjo ndeshje tjetër gjysmëfinale luhet po ashtu nesër, dhe kundërshtari do të përcaktohet nga rezultati i saj.

Haciosmanoglu theksoi se Turqia nuk e meriton kualifikimin në Botëror nëse nuk arrin t’i mposhtë këta kundërshtarë.

“Nuk është mirë të flasësh me mburrje, por nëse nuk arrijmë t’i mposhtim Rumaninë, Kosovën dhe Sllovakinë, atëherë nuk duhet të shkojmë në Botëror. Gjithmonë e kam thënë këtë; disa miq ofendohen, por unë nuk po e quaj askënd pa karakter. Ne kemi një ekip shumë të mirë për sa i përket cilësisë dhe karakterit. Ata meritojnë gjithçka. Morëm një short shumë të mirë në Amerikë (për Botërorin). Zoti na dhëntë forcën për t’i kaluar këto dy ndeshje pa probleme”, u shpreh Haciosmanoglu për TRT-në.