Tate Britain ka shpallur listën e ngushtë të kandidatëve për çmimin prestigjioz “Turner Prize 2026”, duke përfshirë katër artistë të njohur për qasjet e tyre të ndryshme dhe inovative në artin bashkëkohor.
Në këtë listë janë përzgjedhur Simeon Barclay, Tanoa Sasraku, Kira Freije dhe Marguerite Humeau.
Barclay është nominuar për performancën “The Ruin”, një vepër që ndërthur recitimin poetik (spoken word) me muzikën live, duke trajtuar temat e identitetit, klasës dhe racës në Britani. Ndërkohë, Sasraku është përzgjedhur për ekspozitën “Morale Patch”, e cila eksploron historinë politike dhe ushtarake të naftës përmes skulpturave dhe instalacioneve.
Freije është vlerësuar për ekspozitën e saj “Unspeak the Chorus”, ku përdor materiale të ndryshme për të krijuar figura njerëzore me një ndikim të fortë emocional dhe vizual. Ndërsa Humeau është nominuar për “Torches”, një ekspozitë që kombinon forma natyrore dhe elemente imagjinare, duke trajtuar tema ekologjike dhe ekzistenciale.
Alex Farquharson, drejtori i “Tate Britain” dhe kryetari i jurisë, e ka cilësuar këtë përzgjedhje si një përfaqësim të pasur dhe të larmishëm të artit bashkëkohor, me theks të veçantë te instalacionet dhe skulptura.
Ekspozita me veprat e artistëve finalistë do të hapet në Institutin e Artit Modern Middlesbrough (MIMA) dhe do të qëndrojë nga 29 shtatori 2026 deri më 29 mars 2027. Fituesi i çmimit do të shpallet më 10 dhjetor 2026.
Fituesi i “Turner Prize” do të marrë 25 mijë paund, ndërsa tre finalistët e tjerë do të shpërblehen me nga 10 mijë paund secili. Ky edicion pritet të sjellë diskutime të reja mbi artin bashkëkohor dhe rolin e tij në shoqërinë moderne.
