Gjykata e Shkallës së Parë në Gjirokastër ka dhënë këtë të shtunë, më 25 prill, vendimin për masat e sigurisë për tre personat e arrestuar në lidhje me vrasjen e 30-vjeçarit Endri Goxhaj në Memaliaj, ngjarje e ndodhur më 21 prill.

Kështu, tre të arrestuarit janë lënë në masën e sigurisë “arrest shtëpie”, ndërkohë që dy personat e dyshuar si autorë të ngjarjes vijojnë ende të jenë në kërkim.

Çfarë ndodhi në seancë, dinamikat e ngjarjes

Seanca ka nisur me 20 minuta vonesë pasi nuk ishin paraqitur në orën e caktuar gjykatësja dhe prokurorja e çështjes.

Prokurorja e çështjes përshkroi dinamikën e ngjarjes që ndodhi tre ditë më parë në qytetin e Memaliajt.

Në bazë të pamjeve të sekuestruara nga policia, por edhe nga ajo çfarë është mësuar gjatë hetimeve, bëhet e ditur se sherri ka nisur mes dy personave që nuk ishin pjesë e asnjë grupi rival.

Më pas kanë ndërhyrë personat e arrestuar. Viktima Endri Goxhaj në këtë moment ka nxjerrë pistoletën dhe ka shtënë në drejtim të Da.N-së duke shkrehur katër plumba.

Pasi Da.N ka rënë në shesh, në distancë gati prej 2 apo 3 metrash nga ai, kanë qenë dy vëllezërit e tij Do.N dhe M.N, të cilët kur kanë parë përtokë të vëllanë e tyre, kanë reaguar duke nxjerrë nga brezi pistoletat dhe kanë qëlluar në drejtim të Endri Goxhajt.

Ky i fundit, mesa duket, ishte i papërgatitur për reagimin me armë të vëllezërve të të plagosurit dhe kjo është dukur edhe nga pamjet filmike, ku shihet se nuk ka vepruar me pistoletë në momentin kur i ka ardhur breshëria me armë.

Pas kësaj, dy vëllezërit Do.N dhe M.N, kanë marrë me automjetin e tyre të vëllanë e plagosur dhe e kanë çuar me urgjencë në drejtim të Spitalit të Gjirokastrës, e më pas janë larguar në drejtim të paditur.

Në fund të provave të servirura, prokurorja Aulona Haxhiraj kërkoi nga gjykatësja Romena Qamo “arrest në shtëpi” për dy personat e akuzuar si bashkëpunëtorë në ngjarje. Kërkesë që u pranua nga gjyqtarja.

Ndërkohë edhe E.M-së, i akuzuar për veprën penale të “Veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës“, i është dhënë masa e arrestit në shtëpi. Ky i fundit dyshohet se ka fshehur armën me të cilën është kryer krimi.

Ndërsa mbeten në arrati dhe në kërkim policor dy vëllezërit e Da.N-së, Do-N dhe M.N, të cilët janë larguar në drejtim të paditur që kur lanë atë në spitalin e Gjirokastrës të plagosur rëndë.