**Arrestohet 35-vjeçari, dyshohet për vjedhje të rënda në Ferizaj dhe fshatrat përreth**
Policia e Ferizajt ka identifikuar dhe arrestuar një 35-vjeçar, i dyshuar për një seri vjedhjesh të rënda të ndodhura gjatë periudhës nëntor 2023 – prill 2024. Veprat kriminale janë shënuar në qytetin e Ferizajt dhe në fshatrat përreth, përfshirë Sojevën, Babushin, Dardaninë, Fshatin e Vjetër dhe Komogllavën. Lajmi u bë i ditur nga Policia e Kosovës.
Vjedhjet kishin objektiv kryesisht objekte afariste, si dyqane dhe fabrika, nga ku ishin marrë para dhe sende të ndryshme me vlerë.
Përmes një pune hetimore intensive, që përfshiu analizimin e kamerave të sigurisë dhe mbledhjen e informacioneve në terren, policia identifikoi të dyshuarin, shtetasin S. T., 35 vjeç. Ai u identifikua falë karakteristikave fizike, pavarësisht përpjekjeve të tij për t’u maskuar gjatë kryerjes së veprave.
Më 25 prill 2024, me urdhër të Gjykatës Themelore në Ferizaj, u krye një kontroll në banesën e të dyshuarit. Gjatë kontrollit, u zbuluan prova materiale që lidhen me vjedhjet, përfshirë veshje dhe mjete të përdorura në kryerjen e veprave penale.
S. T. u arrestua dhe u mor në pyetje në prani të avokatit mbrojtës. Gjatë intervistës, ai shfrytëzoi të drejtën e tij për të heshtur.
Me autorizim të prokurorit të shtetit, ndaj 35-vjeçarit është iniciuar procedurë penale për veprën “Vjedhje e rëndë”. Atij i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa hetimet e mëtejshme po vazhdojnë.
