Feride Rushiti, kandidate për Presidente në një proces të kontestuar; vëllai shpreh krenarinë

Feride Rushiti, drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), është një prej kandidateve të propozuara nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV) për Presidente të vendit.

Ky proces i përzgjedhjes së Presidentit, i nisur mbrëmë nga partia në pushtet, LVV, po zhvillohet i vetëm, pa pjesëmarrjen e opozitës. Ai është cilësuar si cenim i rendit kushtetues nga ekspertë të Kushtetutës dhe organizata joqeveritare.

Megjithatë, pavarësisht këtyre zhvillimeve dhe debatit publik, vëllai i Feride Rushitit, Ylber Rushiti, ka shprehur krenarinë për motrën e tij.

Ylber Rushiti publikoi mbrëmë në rrjetet sociale një fotografi me motrën. Me mbishkrimin: “Krenar me ty motër”, ai shprehu mbështetjen e tij.

Në seancën e mbajtur mbrëmë, ku morën pjesë vetëm 64 deputetë, u votuan dy kandidaturat për Presidente, të propozuara nga LVV: ajo e Feride Rushitit dhe e Hatixhe Hoxhës. Rushiti mori shumicën e votave të hedhura, por ato u shpallën të pavlefshme, meqenëse për zgjedhjen e Presidentit nevojiten së paku 80 vota deputetësh.