Kuka konfirmon: Majlinda Kelmendi nuk futet në politikë, refuzon ofertën e Osmanit

Agron Kuka, kryetar i Federatës së Xhudos së Kosovës, ka konfirmuar ekskluzivisht për KosovaPress se kampionia olimpike, Majlinda Kelmendi, nuk do t’i bashkohet asnjë nisme apo subjekti politik. Kjo deklaratë vjen pas raportimeve dhe spekulimeve të fundit se Kelmendi mund t’i bashkohej listës së presidentes Vjosa Osmani.

Kuka theksoi se Kelmendi ka marrë oferta të shumta për t’u përfshirë në politikë, përfshirë edhe një ftesë nga vetë presidentja Osmani.

“Po, Majlinda, si figurë emblematike e sportit të Kosovës, ka pasur oferta për të qenë pjesë e partive të ndryshme politike, duke përfshirë edhe presidenten Vjosa Osmani,” deklaroi Kuka për KosovaPress.

Megjithatë, ai sqaroi se Kelmendi e ka refuzuar mundësinë e angazhimit politik, pasi fokusi i saj mbetet plotësisht te sporti dhe zhvillimi i saj profesional në xhudo.

“Majlinda, me gjithë respektin për të gjithë spektrin politik kosovar, nuk ka ndërmend të jetë pjesë e ndonjë partie politike. Ajo është e orientuar drejt zhvillimit të sportit të xhudos dhe avancimit të saj në profesionin e trajneres së xhudos, në kuadër të Klubit të Xhudos ‘Ippon’ dhe Federatës së Xhudos së Kosovës,” shtoi Kuka.