**Pa raketa Tomahawk në Gjermani, ekspertët: Parandalimi ndaj Rusisë rrezikohet**

Në kuadër të vendimeve të fundit ushtarako-strategjike të administratës amerikane nën Presidentin Donald Trump, përveç tërheqjes së rreth 5,000 trupave, është shënuar edhe pezullimi i përkohshëm i planit për vendosjen e raketave amerikane me rreze të mesme veprimi në Gjermani. Këtë e ka konfirmuar së fundmi edhe udhëheqësi i opozitës gjermane, Friedrich Merz, në një intervistë për televizionin ARD.

Ky vendim prek raketat Tomahawk, të cilat kanë një rreze veprimi që arrin deri në Rusi. Ekspertët gjermanë vlerësojnë se ky pezullim është një problem më i madh sesa tërheqja e rreth 5,000 trupave, e cila, sipas Pentagonit, pritet të ndodhë brenda gjashtë deri në dymbëdhjetë muajve të ardhshëm.

“Ka raketa ruse nga Kaliningradi që përbëjnë kërcënim për ne,” thekson Nico Lange, ekspert i politikave të sigurisë, duke kujtuar se Gjermania aktualisht nuk zotëron raketa që mund të krijojnë një “kundërkërcënim”.

**Marrëveshja Biden – Scholz**

Lange shpjegon se “ne synonim t’i merrnim ato nga Amerika, por tani kjo nuk po ndodh.” Ai paralajmëron se evropianët duhet “ta zhvillojnë shpejt këtë aftësi, sepse është thelbësore për sigurinë tonë,” në një deklaratë për programin e shërbimit publik gjerman ARD.

Vendosja e raketave lundruese Tomahawk, me një rreze veprimi deri në 2,500 kilometra, ishte rënë dakord në vitin 2024, nën Presidentin e SHBA-së Joe Biden dhe Kancelarin Olaf Scholz. Ministri i Mbrojtjes, Boris Pistorius, kishte shpjeguar në atë kohë se qëllimi ishte të sigurohej një aftësi veprimi e përkohshme, derisa Evropa të mund të prodhonte sistemet e veta.

Vendosja e Tomahawk fillimisht ishte planifikuar të fillonte në vitin 2026. Megjithatë, agjencia Reuters citoi së fundmi një zyrtar të lartë të Departamentit të Mbrojtjes së SHBA-së të thoshte se batalioni për vendosjen e Tomahawk nuk do të dërgohet në Gjermani.

**”Lajm shumë më dramatik”**

Eksperti i sigurisë Christian Mölling e konsideron këtë si një problem madhor dhe thotë se është “në fakt një lajm shumë më dramatik”. Ai shpjegon për ZDF se sisteme të tilla janë një element qendror i parandalimit, “sepse këto janë raketa të afta të godasin Rusinë jo vetëm pasi ajo të ketë arritur kufijtë e NATO-s, por edhe shumë më larg – duke çaktivizuar qendrat e saj të komandës.”

Gjermania aktualisht nuk zotëron armë me rreze kaq të gjatë veprimi, as kapacitetet e nevojshme të zbulimit. Pasoja është paradoksale: mungesa e këtij batalioni raketor dobëson aftësinë parandaluese të NATO-s.

“Kjo krijon një boshllëk të konsiderueshëm në aftësitë parandaluese ndaj Rusisë, i cili mund të mbyllet vetëm në të ardhmen me armë evropiane,” deklaroi Carlo Masala i Universitetit Bundeswehr në Mynih, për numrin e së dielës të gazetës “Welt”.