Baton Haxhiu

Mbrëmë, duke dëgjuar zëvendëskryeprokurorin e Prokurorisë Themelore të Prishtinës në emisionin “Betimi në Drejtësi”, për një çast mendova se ndoshta do të vinte ai momenti i rrallë kur institucioni, i përfaqësuar nga Arianiti, do të kuptonte mungesën e shijes, të dijes juridike dhe disproporcionin e veprimeve të veta.

Mendova se pas gjithë kësaj historie, Prokuroria Themelore e Prishtinës do të reflektonte. Më shkoi në mendje se dikush atje do ta kuptonte se pyetjet: “A e njihni Albin Kurtin?” “A e dini ku e ka shtëpinë?” nuk i japin aspak seriozitet një institucioni të drejtësisë.

Dhe sa më shumë fliste zëvendëskryeprokurori, aq më shumë rritej absurdi.

Me një gjuhë ‘druri’, që dukej sikur ishte shkruar nga një komision burokratik i viteve ’80, ai shpjegonte se “Prokuroria ka vlerësuar se duhet të veprojë”, se “rasti po analizohet”, se “mund të ketë elemente inkriminuese”, se “kemi reaguar edhe në raste të tjera”.

Dhe pikërisht te këto sqarime, si dhe te mungesa e kulturës juridike në fjalorin e përdorur, fillon tragjikomedia.

Sepse një njeri normal, kur dëgjon fjalinë “rasti po analizohet”, mendon për korrupsion, krim të organizuar, kontrata milionëshe, zhdukje provash apo ndonjë rrjet kriminal.

Ndërsa në këtë rast, “rasti” është një metaforë politike, e thënë në një studio televizive.

Dhe zëvendëskryeprokurori, me një qetësi që të frikëson më shumë se vetë absurdi, shpjegonte:

“Rasti po analizohet.” Kjo ishte fjalia më ‘poetike’ që kisha dëgjuar ndonjëherë nga një prokuror.

“Rasti po analizohet.” Imagjinoni skenën: Një tavolinë, disa dosje, njerëz seriozë. Dejona aty, si një komisar i frazave letrare, dhe në mes të tyre një fjali televizive: “Ose jepjani 80 vota, ose largojeni me votë.”

Dhe tani, republika pret analizën. Një lexues apo shikues i zakonshëm pyet për thellësinë e kësaj analize, teksa ndoshta një grup praktikantësh në prokurori ‘analizon’ se si prokurorët në komunizëm i kanë ‘analizuar’ metaforat armiqësore.

Dhe autori, duke u shfaqur si njohës i procedurave të kohës së komunizmit, ironizon:

Ndoshta po analizohet metafora.

Ndoshta po analizohet figura stilistike.

Ndoshta po analizohet nëse “80 vota” është një kod sekret. Ose ndoshta po shqyrtohet nëse fjala “hiqeni qafe” nënkupton zgjedhje, votë, lodhje politike, apo ndonjë organizatë kriminale ndërkombëtare të figurave letrare.

Dhe më e bukura është se në Kosovën e lirë, Arianit Salihu e tha këtë me seriozitet institucional.

Pastaj erdhi fjalia tjetër ‘brilante’: “Kemi reaguar edhe në raste të tjera.” Kjo, si qytetar, të qetëson shumë, sepse tani e dimë që ky nuk është një rast i izoluar. Nuk është një gabim momental. Është një metodë pune.

Pra, diku në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, mund të ekzistojë një arkivë e tërë me raste ku njerëzit kanë përdorur metafora në televizione dhe institucioni ka ndërhyrë ‘heroikisht’ për ta mbrojtur shtetin nga gjuha figurative.

Dhe sinqerisht, aty fillon frika ime e vërtetë: jo nga prokuroria që gabon, por nga prokuroria që nuk e kupton më pse po duket qesharake.

Sepse në një moment të caktuar, absurdi bëhet aq i madh, saqë institucioni pushon së prodhuari autoritet dhe fillon të prodhojë satirë pa e kuptuar. Dhe kjo është faza më e rrezikshme e një burokracie: kur mendon se po mbron shtetin, ndërkohë që po e bën karikaturë vetveten.

Në një moment, duke e dëgjuar, më erdhi sinqerisht keq edhe për vetë Albin Kurtin, sepse ta mbrosh një kryeministër nga metaforat politike është mënyra më e keqe për ta poshtëruar atë.

Ta rrethosh pushtetin me njerëz në prokurori, të cilët e marrin budallallëkun seriozisht dhe e quajnë profesionalizëm, është fundi i botës.

Para se të hapet ndonjë lëndë e re, po e sqaroj edhe këtë për Prokurorinë Themelore të Prishtinës: Pra, diku në këtë republikë, mund të ekzistojë një arkivë e tërë e Prokurorisë me deklarata të njerëzve që kanë thënë:
“Po na mbyt politika.”
“Është fundi i botës.”
“Na hëngrën të gjallë.”
Dhe ndoshta dikush aty, seriozisht, po analizon nëse politika posedon kapacitet fizik për mbytje, nëse bota realisht po përfundon dhe kush saktësisht po i ha qytetarët.

Dhe pikërisht aty, pa e kuptuar, Prokuroria Themelore e Prishtinës hyn në territorin e Franz Kafkës.

Sepse në momentin që një institucion fillon të analizojë metaforat si raste të mundshme penale, qytetari fillon të ndihet si Jozef K. Çdo ditë pret të kuptojë nëse “rasti po analizohet”, nëse fjala e tij është e sigurt, nëse ndonjë figurë letrare ka kaluar kufirin e lejuar të imagjinatës procedurale.

Dhe tragjedia është se në letërsinë e Kafkës, askush nuk të tregonte kurrë saktësisht për çfarë akuzoheshe. Të thoshin vetëm:

“Rasti po analizohet.”

Zakonisht, arsyetimet dhe momentet e tilla shënojnë pikën kur imagjinata procedurale e një institucioni arrin aty ku logjika juridike ka kohë që ka dhënë dorëheqje dhe është turpëruar edhe publikisht.

Të fala Dejones dhe Albinit!