Anëtarët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerand Stavileci dhe Hisen Berisha, kanë bërë thirrje publike për pranimin e kërkesës së Fatmir Limajt dhe partisë së tij, NISMA, për t’u përfshirë në listën zgjedhore të PDK-së për zgjedhjet e 7 qershorit. Ata theksojnë nevojën për “pjekuri politike” dhe “unitet me diversitet”.

Hisen Berisha e ka cilësuar aftësinë për t’u bashkuar si “pjekuri politike”, duke argumentuar se Fatmir Limaj vazhdon të ketë një peshë të konsiderueshme simbolike dhe elektorale në një pjesë të elektoratit tradicional të PDK-së.

“Pjekuri politike është aftësia për të bashkuar energjitë, jo për të kultivuar inatet. Fatmir Limaj, pavarësisht rrugëtimit të veçantë politik, vazhdon të ketë peshë simbolike dhe elektorale në një segment të rëndësishëm të elektoratit tradicional të PDK-së dhe të luftës. Injorimi i këtij fakti do të ishte gabim strategjik,” ka deklaruar Berisha.

Nga ana tjetër, Blerand Stavileci theksoi rëndësinë e unitetit, duke shtuar se partitë e mëdha nuk druhen nga dallimet.

“Prandaj filozofia jonë duhet të jetë e qartë: Unitet me diversitet, unitet pa uniformitet. Përtej emrave e numrave. Partitë e mëdha nuk kanë frikë nga dallimet. Përkundrazi. Ato ushqehen nga energjitë e ndryshme, nga mendimet e ndryshme, nga përvojat e ndryshme që bashkohen rreth një misioni të përbashkët. E tëra është më shumë se shuma e pjesëve të saj dhe kjo është më e vërtetë se kurrë për PDK-në sot, sepse forca jonë nuk është vetëm tek individët, por tek aftësia për t’i bërë bashkë njerëzit rreth një ideali që quhet Kosovë,” ka shkruar mes tjerash Stavileci.