**AKB Pret Prefektin e Tiranës; Diskutohet Rritja e Bashkëpunimit Ekonomik Kosovë-Shqipëri**

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka organizuar një pritje zyrtare për delegacionin nga Shqipëria, i kryesuar nga prefekti i Tiranës, Shkëlqim Hajdari. Gjatë takimit, u theksua rëndësia e thellimit të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë, veçanërisht në fushën e investimeve dhe tregtisë.

Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, vlerësoi lart bashkëpunimin aktual dhe shprehu mirënjohjen për rritjen e investimeve të Shqipërisë në Kosovë, si dhe atyre të Kosovës në Shqipëri. Ai theksoi se, sipas statistikave të AKB-së, stoku i investimeve të Kosovës në Shqipëri pritet të tejkalojë 700 milionë euro deri në fund të vitit 2025. Shahini shtoi se produktet kosovare kanë depërtuar mirë në tregun shqiptar dhe shkëmbimet tregtare mes dy vendeve kanë shënuar një rritje pozitive, megjithëse ende nuk kanë arritur nivelin e dëshiruar.

Shahini ngriti gjithashtu shqetësimin për disa pengesa të fundit të hasura nga eksportuesit e produkteve shtazore nga Shqipëria drejt Kosovës. Këto pengesa vijnë si pasojë e një vendimi të Ministrisë së Bujqësisë së Kosovës për kontrolle të shtuara. Ai bëri të ditur se AKB ka kontaktuar të gjitha institucionet përkatëse për mbrojtjen e bizneseve dhe se çështja po trajtohet në nivel shtetëror. Nga ana tjetër, ai përshëndeti heqjen e kontrolleve për pasagjerët mes Kosovës dhe Shqipërisë duke nisur nga 1 Maji, duke kërkuar që kjo masë të shtrihet për të gjithë vitin e jo vetëm gjatë sezonit veror. Shahini kritikoi gjithashtu mosrealizimin e mbi 50% të më shumë se 200 marrëveshjeve të nënshkruara mes dy qeverive.

Kreu i AKB-së theksoi se ndërsa raportet ekonomike mes bizneseve dhe ato vëllazërore mes popujve janë shumë të mira, ato ndërshtetërore duhet të avancohen më tej. Ai sugjeroi takime më të shpeshta mes kryeministrave të Kosovës dhe Shqipërisë për të forcuar bashkëpunimin institucional.

Ndërsa, prefekti i Tiranës, Shkëlqim Hajdari, fillimisht theksoi se aktiviteti i AKB-së ka shërbyer si një urëlidhëse thelbësore për Kosovën me vendet e rajonit, duke nxitur komunikimin ekonomik dhe shpirtëror me bizneset në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Preshevë. Ai nënvizoi se prodhimi cilësor në çdo fushë të veprimtarisë ekonomike shërben zhvillimit të ekonomive dhe prosperitetit të territoreve shqiptare dhe kombit në tërësi.

Hajdari preku edhe reformën për mallrat e sigurta dhe inspektoratet, duke e konsideruar atë thelbësore për garantimin e mallrave dhe veprimtarive prodhuese të sigurta. Ai shprehu dëshirën që kjo reformë të ishte e unifikuar në Ballkan, veçanërisht në Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi. Prefekti përshëndeti faktin se Kosova tashmë ka zbatuar një reformë të ngjashme, duke themeluar Inspektoratin e Përgjithshëm mbi tre vjet më parë dhe duke ristrukturuar inspektoratet shëndetësore, të punës dhe të ushqimit.