Debate në Kuvendin e Shqipërisë, deputetët kërkojnë praninë e Ramës në seancë
Seanca plenare në Kuvend u shënua nga debate mes mazhorancës dhe opozitës, në lidhje me raportin për procesin e integrimit europian dhe mungesën e Kryeministrit në sallë.
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, kërkoi praninë e Kryeministrit Edi Rama në seancë, duke argumentuar se raporti është dokument i Këshillit të Ministrave dhe, për rrjedhojë, duhet të prezantohet nga kreu i qeverisë.
“Ky është një raport i Këshillit të Ministrave, të cilin, sipas Kushtetutës, e përfaqëson Kryeministri. Kryeministri duhej të ishte i pranishëm në seancë për të informuar Kuvendin mbi procesin e integrimit europian. Aq më tepër që mungon edhe ministri i shtetit përgjegjës për negociatat. Llogaridhënia nuk bëhet me korrespondencë,” – theksoi Bardhi.
Nga ana tjetër, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, theksoi se debati duhet të vijojë sipas procedurës parlamentare, pa penguar procesin e miratimit të rezolutës.
“Ky mocion me debat, i sotëm, lidhet me nenin 103, ku parashikohet se në përfundim të debatit miratohet rezoluta, e cila tashmë ka kaluar me konsensus. Do të ishte në të mirë të procesit që të lexojmë rezolutën dhe më pas të hapim debatin. Të mos e prishim punën e mirë të komisionit dhe të ecim përpara me diskutimet,” – tha Balla.
