Abdixhiku: Kurti kërkoi një president që merret me binjakëzimin e shoqatave të zjarrfikësve
Kandidati i LDK-së për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka folur mbrëmë në emisionin “Rubikon” të Klan Kosovës për takimet e zhvilluara me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, lidhur me çështjen e presidentit.
Abdixhiku theksoi se gjatë këtyre takimeve, Kurti kishte kërkuar një president i cili, siç u shpreh ai, “do të merrej me binjakëzimin e shoqatave të zjarrfikësve”.
“Ishte shumë e rëndësishme të kuptohej se stabiliteti institucional nënkupton që të mos vihen të gjitha institucionet nën kontrollin e një individi,” citoi Abdixhiku. Ai vazhdoi: “Kërkohej një president që, po ta parafrazoj, do të merrej me binjakëzimin e shoqatave të zjarrfikësve.”
Abdixhiku shtoi se i kishte thënë Kurtit: “Lëre atë shoqatë, me gjithë respektin. Për këtë punë kemi kryetarët e komunave, ka kush merret me zjarrfikësit. Le të merremi me një president që na përfaqëson ndërkombëtarisht.”
