Bebe Rexha mbyll periudhën e “aplikimeve” për takime: “Isha shumë e zënë”

Këngëtarja e famshme shqiptare, Bebe Rexha, ka folur me humor, por edhe sinqeritet, për jetën e saj sentimentale gjatë një interviste për emisionin “E! The Rundown”.

Pas “aplikimit” viral që artistja kishte hapur disa muaj më parë në X (ish-Twitter) për ata që donin të dilnin me të, Rexha thotë se aktualisht nuk po kërkon lidhje, pasi është plotësisht e përqendruar te puna dhe karriera e saj.

Biseda nisi me shaka nga moderatorja, e cila i kujtoi se publiku “e di” që ajo nuk është më në kërkim të një “baby daddy”, ndërsa Rexha e preu shkurt: “Jo… Jo”.

Por kur u hap tema e procesit të aplikimit (application process), këngëtarja shpjegoi se gjithë situata nisi sepse shumë njerëz po i shkruanin në rrjete sociale. Megjithatë, ritmi i saj i punës e bën thuajse të pamundur një takim të zakonshëm.

“Kam pasur shumë njerëz që më shkruanin në mesazhe private (DM), por sinqerisht, kam qenë kaq e zënë duke punuar… kur do të dal në takim?”, tha Bebe Rexha.

Ajo shtoi se, nëse do të tentonte të dilte me dikë, takimi do të duhej të përshtatej me agjendën e saj profesionale, gjë që sipas saj nuk është “normale” dhe e vështirëson njohjen me dikë.

“Imagjino tani… t’i them: ‘Kam një intervistë, por mund të vish të më shohësh duke bërë intervistën’. Ose: ‘Duhet të shkoj në studio’… ose ‘kam një koncert’. Kjo është e vetmja mënyrë”, u shpreh ajo.

Sipas Rexhës, “aplikimet” u hapën për një kohë shumë të shkurtër dhe pastaj u mbyllën, pasi gjithçka “po merrte vrull” dhe ajo e kuptoi se duhet ta vendosë fokusin diku tjetër.

“Hapëm periudhën e aplikimit vetëm për një copëz kohe dhe pastaj e mbyllëm menjëherë…”, tha ajo, ndërsa moderatorja e ngacmoi duke thënë se “nuk u mbyll menjëherë”.

Megjithatë, Rexha e bëri të qartë vendimin e saj: “Gjërat thjesht kanë qenë duke shkuar, shkuar, shkuar… dhe unë thashë: mendoj se do ta përqendroj vëmendjen time te kjo, te karriera ime”.