Kiev: Bilanci i viktimave pas sulmeve ruse me dronë arrin në 21; Zelensky: U lëshuan 800 dronë

Numri i viktimave nga sulmet masive ruse, të cilat goditën gjatë natës kryeqytetin ukrainas, Kiev, ka arritur në 21.

Lajmi u konfirmua nga shërbimet shtetërore të shpëtimit të Ukrainës, të cilat bënë me dije se ekipet e emergjencës po vazhdojnë operacionet e kërkim-shpëtimit në zonat e prekura.

Sipas autoriteteve, ekipet po punojnë pa ndërprerje në rrënojat e një ndërtese të shembur në lagjen Darnytskyi, ku dyshohet se mund të ketë ende persona të bllokuar nën to.

Më herët, autoritetet ukrainase kishin raportuar për 16 viktima, por numri u rrit pas gjetjes së trupave të tjerë. Presidenti Volodymir Zelensky deklaroi dje se Moska kishte lëshuar 800 dronë drejt Kievit, pas përfundimit të një armëpushimi tre-ditor.