Të enjten u nda nga jeta në moshën 72-vjeçare Prof. Dr. Basil Schader, një albanolog, studiues dhe njohës i shquar zviceran i kulturës dhe gjuhës shqipe. Ai do të mbahet mend për kontributin e tij të vyer në studimet albanologjike dhe në zhvillimin e mësimit plotësues të gjuhës shqipe në Zvicër.

Prof. Dr. Basil Schader ishte gjermanist, didaktik gjuhësor dhe autor zviceran. Ai shkroi botime shkencore, materiale mësimore, manuale didaktike dhe tekste artistike, si dhe përktheu letërsi nga shqipja. Në mesin e komunitetit shqiptar në Zvicër, ai njihej sidomos për ndihmën e madhe që dha përgjatë viteve në hartimin e teksteve për mësimin e gjuhës shqipe në kuadër të programit plotësues.

Para daljes në pension, Dr. Schader ka punuar në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Cyrihut, ku drejtoi sektorin e gjermanishtes si gjuhë e dytë.

Me një doktoraturë në albanologji nga Universiteti i Tiranës, Profesori Schader ishte ndoshta i vetmi zviceran që u mor profesionalisht me studimin e shqipes, veçanërisht me ndërveprimin e saj me gjuhën gjermane. Ai është autor i veprës studimore “Albanischsprachige Kinder und Jugendliche in der Schweiz. Hintergründe, schul- und sprachbezogene Untersuchungen”, (Fëmijët dhe të rinjtë shqipfolës në Zvicër. Studime në lidhje me sfondin, shkollën dhe gjuhën).

Basil Schader lindi më 19 tetor 1951, në Cyrih. Pas studimeve për filologji klasike në Cyrih dhe Tübingen, të cilat i ndërpreu në vitin 1973, ai u trajnua si mësues i shkollës fillore. Në vitin 1979, filloi studimet për gjuhë dhe letërsi gjermane, arsim dhe kritikë letrare në Universitetin e Cyrihut, duke i përfunduar në vitin 1985 me një disertacion. Më tej, ai ndoqi studime në folklor/etnologji evropiane nga viti 1987 deri në 1989. Në vitin 1999 nisi programin e mësimit në distancë në gjuhën dhe letërsinë shqipe në Universitetin e Tiranës, ku dhe doktoroi në vitin 2005.