Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka premtuar rritje të shtesave për fëmijë deri në 90 euro dhe për lehona deri në 500 euro në muaj, në rast se ai merr një mandat tjetër qeverisës. Aktualisht, shtesat për fëmijë variojnë nga 30 deri në 45 euro, ndërsa mbështetja për lehonat është 325,9 euro.
Ky premtim u bë gjatë një tryeze të organizuar nga Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Familjes. Kurti theksoi se aktualisht mbi 400 mijë fëmijë përfitojnë nga shtesat për fëmijë, ndërsa mbi 80 mijë nëna përfitojnë nga ato për lehona.
Duke folur për qasjen e qeverisë ndaj familjes, Kurti deklaroi: “Politika për familjen dhe mirëqenien e saj. Kështu mbase do të ishte përshkrimi më i saktë dhe më i shkurtër i qeverisjes sonë në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Familjes, sepse ajo, pra familja, është trajtuar jo si diçka e ndarë dhe jashtë kontekstit zhvillimor, por në tërësinë e politikave sektoriale dhe në kuadër të gjerë të vendimmarrjes.”
Ai kujtoi se kur nisi aplikimi i shtesave për fëmijë, ato ishin 10 dhe 20 euro, duke u përballur me “tallje e përqeshje”. “E sot çdo familje që plotëson kushtet merr shtesa prej 30 deri 45 euro, varësisht nga numri i fëmijëve. Ndërkaq zotimi ynë është që në mandatin tjetër, të cilin e synojmë edhe një herë, shtesat për fëmijë t’i dyfishojmë 60 deri në 90 euro,” theksoi Kurti.
Lidhur me shtesat për lehonat, Kurti deklaroi se fillimisht ato ishin inekzistente, duke nisur me 170 euro në muaj. “Aktualisht janë 325,9 euro, por me synimin që ato të ngritën në 500 euro në muaj,” shtoi ai. Lajmi u raportua fillimisht nga Ekonomia Online.
