Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është takuar sot me kryeministrin kroat, Andrej Plenkovic, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Në takim, Kurti dhe Plenkovic adresuan çështje të sigurisë dhe mbrojtjes, bashkë me ato të integrimit evropian dhe euroatlantik të Kosovës, raporton IndeksOnline.
“Lidhur me vendimin e Dhomave të Specializuara, theksova asimetrinë e padrejtë të përgjegjësisë për luftën. Diskutuam gjithashtu çështjen e personave të zhdukur dhe varrezat masive të zbuluara së fundmi në Kosovë, si dhe vështirësitë e shkaktuara nga moshapja e arkivave nga ana e Serbisë” shkroi Kurti.
Kryeministri gjithashtu përshëndeti lirimin e Bajram Bajramit, i cili ishte ndaluar padrejtësisht pikërisht në Kroaci.
Ky është njoftimi i plotë i Kurtit:
Në margjinat e Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju-Jork, pata kënaqësinë të takohem me Kryeministrin kroat, Andrej Plenković. Biseda jonë përfshiu marrëdhëniet dypalëshe, zhvillimet rajonale, bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, integrimin evropian dhe euroatlantik të Kosovës, si dhe zhvillimin ekonomik të saj. Gjithashtu, përshëndeta bashkëpunimin midis ministrive tona të drejtësisë në rastin e Bajram Bajramit, i cili ishte ndaluar padrejtësisht dhe u lirua sot.
Lidhur me vendimin e Dhomave të Specializuara, theksova asimetrinë e padrejtë të përgjegjësisë për luftën. Diskutuam gjithashtu çështjen e personave të zhdukur dhe varrezat masive të zbuluara së fundmi në Kosovë, si dhe vështirësitë e shkaktuara nga moshapja e arkivave nga ana e Serbisë. Një temë tjetër e rëndësishme ishte diskriminimi i vazhdueshëm administrativ ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
E vlerësoj lart bashkëpunimin tonë të fuqishëm në fushën e mbrojtjes dhe atë ushtarake me Kroacinë, si dhe mbështetjen e vazhdueshme të Kroacisë për rrugëtimin e Kosovës drejt Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës dhe integrimit më të thellë euroatlantik. Po ashtu, shkëmbyem mendime mbi sfidat e sigurisë rajonale, ndikimin e Rusisë dhe nevojën për një bashkëpunim më të ngushtë midis vendeve dhe partnerëve tanë.
