Analisti Agon Maliqi thekson se protestat dhe shprehja e pakënaqësisë publike kanë një ndikim të rëndësishëm, sidomos kur bëhet fjalë për vendimet gjyqësore, duke kundërshtuar idenë se ato janë të kota ose kanë vetëm pasoja negative.
Sipas Maliqit, në rastet kur qytetarët besojnë se një vendim gjyqësor nuk ka sjellë drejtësi, kjo pakënaqësi duhet të shprehet në mënyrë të theksuar, veçanërisht nga shoqëria civile. Ai kërkoi që zyrtarët e shteteve sponsore të Gjykatës Speciale të informohen për nivelin e lartë të pakënaqësisë dhe efektet e veprimtarisë së kësaj gjykate.
Maliqi sqaroi se kërkesa ndaj sponsorëve nuk nënkupton ndërhyrje në drejtësi, por ka për qëllim forcimin e besimit në të, përmes kërkesës për llogaridhënie dhe mbikëqyrje.
“Mos i dëgjoni ata që ju thonë se protesta nuk ka ndikim, apo se ka ndikim negativ. Nëse mendoni se verdikti nuk ka prodhuar drejtësi, kjo gjë duhet të dëgjohet sa më shumë dhe sa më fort – e sidomos nga shoqëria civile,” deklaroi Maliqi.
Ai shtoi se është thelbësore që zyrtarët e shteteve sponsore të kuptojnë nivelin e pakënaqësisë dhe ndikimin e Gjykatës Speciale. Maliqi bëri thirrje që kësaj gjykate, e cila, sipas tij, “po vepron pa mekanizëm mbikëqyrës kontrolli dhe me mangësi të dokumentuara të veprimit,” t’i kërkohet llogari për standardet dhe të sigurohet mbikëqyrje, në mënyrë që faza e apelit “të mos jetë thjesht noterizim i shkallës së parë.”
Maliqi kritikoi edhe qeverinë, duke theksuar se “kësaj kërkese do të duhej t’i printe qeveria, por ajo me sa duket më shumë duket e interesuar për ta amortizuar pakënaqësinë.”
