**Mbledhje Para Policisë në Pritje të Intervistimit të Sami Lushtakut**
Një numër qytetarësh, përfshirë ish-deputetin Mërgim Lushtaku, janë mbledhur para stacionit policor të Skenderajt, në pritje të intervistimit të kryetarit të Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku. Intervistimi lidhet me një incident të ndodhur një ditë më parë në një lokal të këtij qyteti.
Intervistimi i Lushtakut pason akuzat e Lëvizjes Vetëvendosje se ai ka sulmuar kryetarin e degës së saj në Skenderaj, Hysni Mehani, i cili njëherësh është edhe zëvendësministër i Financave. Mehani u trajtua dje në spitalin e Mitrovicës, pasi pësoi lëndime në kokë.
Vetë Lushtaku mohoi dje të ketë sulmuar Mehani, por theksoi se reagimi i qytetarëve erdhi pasi atij i ishte drejtuar me pseudonimin provokues “Sami Serbia”.
Deri më tani, për këtë rast janë arrestuar dy persona. Prokuroria Themelore në Mitrovicë deklaroi një ditë më parë se kishte lëshuar ftesë për intervistim Lushtakun dhe një person tjetër, por se, deri në momentin e njoftimit të saj, të ftuarit nuk i ishin përgjigjur.
Këto pretendime i mohoi më pas nënkryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, i cili deklaroi se Lushtaku nuk kishte marrë asnjë ftesë zyrtare nga prokuroria deri sot paradite, kur edhe mbajti një konferencë për media.
