Besa Gaxherri: Policia Speciale nuk do të duhej të shkonte në Skenderaj
Kandidatja për deputete nga radhët e LDK-së, Besa Gaxherri, ka deklaruar se, në parim, Policia Speciale nuk do të duhej të ishte prezente në Skenderaj. Ajo shtoi se nëse do të ndiqej shembulli i shoqërimit të një udhëheqësi politik nga policia për intervistim, si në rastin e kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtakut, atëherë një veprim i tillë do të duhej të ndodhte fillimisht me kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin.
“Në mënyrë të qartë, Policia Speciale nuk kishte vend, nuk do të duhej të shkonte atje. Kushdo qoftë që e ka krijuar këtë problem, ne kemi raste të tilla kudo në botë, ku mund të ndodhin incidente. Por janë organet e sigurisë, në bazë të ligjeve që kemi në Kosovë, të cilat nuk kanë nevojë të rrethojnë asnjë komunë e asnjë qytet. Veprohet në baza të rregullta ligjore dhe nuk do të duhej të ndodhte një gjë e tillë”, deklaroi Gaxherri mbrëmë në emisionin “Edicioni Special” të Klan Kosovës.
“Nëse policia do të duhej të vepronte siç veproi në Skenderaj, atëherë do të duhej të na jepte shembullin e parë duke shoqëruar zotin Kurti, i cili e ka ftesën e Prokurorisë prej një kohe të gjatë. Ai, po ashtu, deklaron publikisht se nuk shkon, duke thënë: ‘Le të vijnë e të më marrin’.”
“Gjykata i ka dërguar ftesën dhe i ka kryer të gjitha procedurat. Tani i ka mbetur vetëm Policisë të shkojë ta shoqërojë zotin Kurti në Prokurori, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende.”
