Sot zhvillohet xhiroja e 34-të e Superligës së Kosovës, një javë që pritet të qartësojë shumë dilema, si në garën për vendet evropiane, ashtu edhe në luftën për mbijetesë.
Edhe pse Drita është shpallur tashmë kampione e këtij edicioni, duke mbrojtur titullin e fituar sezonin e kaluar, emocionet mbeten të larta në pjesën tjetër të renditjes.
Në një prej sfidave më interesante të ditës, Dukagjini, e cila po lufton për mbijetesë, do të përballet me kampionen Drita, në një përballje me rëndësi kyçe për skuadrën nga Klina.
Ndërkohë, Malisheva do të luajë ndaj Drenicës, një skuadër që javët e fundit ka shënuar rezultate tejet të rëndësishme dhe është shkëputur nga zona e rrezikut.
Një tjetër takim me rëndësi të madhe është ai ndërmjet Gjilanit dhe Llapit. Skuadra e drejtuar nga Tahir Batatina vazhdon luftën për t’iu shmangur dy pozitave të fundit që dërgojnë në Ligën e Parë.
Në anën tjetër, Ballkani, që tashmë ka humbur garën për titullin kampion, do të përballet me Prishtinën e Re, ekipin e fundit në renditje. Për ekipin kryeqytetas, kjo sfidë konsiderohet mundësia e fundit për të mbajtur gjallë shpresat për mbijetesë në elitën e futbollit kosovar.
Po ashtu në kryeqytet, Prishtina do ta presë Ferizajn, një skuadër thellësisht të rrezikuar nga rënia nga liga. Të gjitha ndeshjet do të nisin në orën 16:00.
