**Simboli i tualetit të grave: Nuk ishte kurrë fustan, por mantel. Një fushatë zbulon mesazhin e thellë pas ikonës.**
Një fushatë e re, iniciuar nga kompania amerikane “Axosoft” nga Arizona, po sfidon perceptimin publik mbi simbolin e tualetit të grave, duke pretenduar se figura ikonike nuk përfaqëson një fustan, por një mantel. Kjo nismë synon të thellojë debatin mbi barazinë gjinore dhe pranimin e grave në fusha që tradicionalisht konsiderohen “të meshkujve”.
Gjatë hulumtimit të tyre, Tania Katan nga “Axosoft” dhe ekipi i saj zbuluan se figura trekëndore në simbolin e grave nuk kishte për qëllim të përfaqësonte kurrë një fustan. Përkundrazi, ai simbolizon një mantel, duke i dhënë ikonës një mesazh shumë më të fuqishëm.
Sipas tyre, ikona me mantel përcjell mesazhin se gratë mund të jenë superheroina.
“Në shkencë, teknologji, art, matematikë, politikë, në rrugë dhe në shtëpitë tona, gratë shpesh janë të padukshme, të injoruara ose thjesht të harruara. Vajzat dhe gratë që janë të interesuara për shkencën, teknologjinë, mekanikën dhe matematikën janë një pakicë,” thekson “Axosoft” në mesazhin e fushatës.
Fushata, e titulluar “It was never a dress” (Nuk ishte kurrë një fustan), synon të nxisë dialogun për pranimin dhe vlerësimin e grave në të gjitha llojet e profesioneve, pavarësisht nëse ato konsiderohen tradicionalisht “të meshkujve” apo jo, duke luftuar stereotipet gjinore dhe duke promovuar një mbarëpërfshirje më të madhe.
