Fushata për zgjedhjet e 7 qershorit po zhvillohet gjithnjë e më shumë jashtë sallave politike dhe drejt kontaktit të drejtpërdrejtë me qytetarët. Vizitat në biznese të vogla, furra, kafiteri dhe takimet spontane me qytetarë janë kthyer në një nga format më të përdorura nga kandidatët për të fituar vëmendje dhe afërsi me publikun.
Një situatë e tillë ka ndodhur edhe në Arllat të Drenasit, ku javën e kaluar Enver Hoxhaj nga Partia Demokratike e Kosovës kishte vizituar një furrë lokale, duke publikuar në rrjetet sociale një video ku shihej duke blerë produkte dhe duke biseduar me qytetarët.
Por ajo që mori vëmendje në rrjete sociale ishte fakti se sot të njëjtin vend e vizitoi edhe Albin Kurti, i cili po ashtu publikoi një video nga furra në rrjetet sociale.
Me afrimin e zgjedhjeve të 7 qershorit, duket se “terreni” po bëhet arma kryesore e partive politike, ndërsa videot spontane në furra, kafene e tregje po marrin më shumë vëmendje sesa tubimet tradicionale politike.
