Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka dënuar ashpër gjuhën e papërshtatshme dhe sjelljen joprofesionale të drejtorit të Spitalit të Gjilanit, Afrim Cana, ndaj gazetares së Klan Kosova, Arbreshë Uka.

Reagimi i AGK-së pasoi fjalët fyese që drejtori Cana i adresoi gazetares Uka, e cila po e pyeste atë për mungesën e kujdestarisë në disa reparte të spitalit publik. Sipas njoftimit të AGK-së, drejtori Cana i është drejtuar gazetares me fjalët: “A ke nevojë për ekzaminim? Nëse keni, mundeni me ardhë”.

Asociacioni e ka cilësuar këtë gjuhë si të papranueshme, fyese dhe një tentativë për të intimiduar gazetaren gjatë kryerjes së detyrës së saj profesionale.

AGK i ka bërë thirrje drejtorit Cana që t’i kërkojë falje publike gazetares Uka dhe të ofrojë transparencë e përgjigje të qarta për pyetjet e gazetarëve, të cilat janë në interesin publik.

Sipas AGK-së, sjellja e drejtorit Cana synon denigrimin e gazetares. Për këtë arsye, Asociacioni i ka kërkuar nivelit qendror marrjen e masave të duhura. AGK thekson se gazetarët duhet të jenë të lirë të kryejnë punën e tyre për informimin e publikut pa u penguar nga asnjë palë.