FSK hap dyert për publikun më 27 nëntor, shënohet “Dita e Forcës”
Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) do të organizojë më 27 nëntor aktivitetin e saj tradicional, “Dita e Forcës”. Me këtë rast, të gjitha kazermat e FSK-së do të jenë të hapura për publikun.
Përmes një njoftimi të publikuar në rrjetin social Facebook, FSK bëri të ditur se aktiviteti do të mbahet nga ora 10:00 deri në 13:30. Kjo është një mundësi që qytetarët të njihen nga afër me kapacitetet ushtarake, pajisjet dhe personelin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Publiku do të ketë mundësi të vizitojë kazermat në qytetet kryesore, përfshirë Ferizajn, Gjakovën, Gjilanin, Istogun, Mitrovicën, Pomozotinin, Prishtinën dhe Prizrenin.
Veçanërisht, në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, prania e udhëheqësve të lartë shtetërorë pritet të shënojë këtë ditë.
FSK-ja ka ftuar të gjithë qytetarët që t’i bashkohen këtij manifestimi për të shënuar së bashku Ditën e Forcës – ditën e ushtrisë sonë.
