OKB: Rreth 47 mijë gra dhe vajza u vranë nga partnerët ose familjarët në vitin 2022

Lajme |-| Rreth 47 mijë gra dhe vajza në mbarë botën u vranë nga partnerët ose anëtarët e familjes gjatë vitit 2022. Këto të dhëna tronditëse janë publikuar në një raport të përbashkët nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin (UNODC) dhe UN Women, më 24 nëntor të këtij viti.

Lajme |-| Raporti, i cili u publikua në prag të Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave (25 nëntor), thekson se, sikurse në vitet e mëparshme, shtëpia mbetet ambienti më i rrezikshëm për gratë dhe vajzat.

Lajme |-| Nga rreth 78 mijë gra dhe vajza të vrara globalisht gjatë vitit 2022, 60 për qind prej tyre humbën jetën nga duart e partnerëve ose të familjarëve.

Lajme |-| Kjo shifër përkthehet në një mesatare prej 129 grash dhe vajzash të vrara çdo ditë nga persona të rrethit të tyre të ngushtë.

Lajme |-| Sipas të njëjtit raport, numri i viktimave ishte veçanërisht i lartë në Afrikë, ndërsa gratë dhe vajzat ishin relativisht më të sigurta në Evropë.

Lajme |-| Monica Juma, drejtoresha e UNODC-së, theksoi se normat shoqërore dhe dështimet në mekanizmat institucionalë të mbrojtjes krijojnë një ambient ku vrasja e një bashkëshorteje, vajze, nëne apo motre “bëhet e tolerueshme”.

Lajme |-| Ajo shtoi se ndryshimi i këtij realiteti kërkon veprime të vazhdueshme në të gjitha nivelet e shoqërisë.

Lajme |-| Sima Bahous, drejtoresha ekzekutive e UN Women, bëri thirrje për veprime urgjente. Ajo kërkoi që asnjë shenjë paralajmëruese e dhunës të mos shpërfillet, asnjë e mbijetuar të mos mbetet pa mbrojtje dhe asnjë autor krimi të mos i shpëtojë përgjegjësisë.

Lajme |-| Të dhënat e OKB-së tregojnë se, ndonëse shkalla globale e vrasjeve është në rënie, ajo e femicidit – vrasjes së grave dhe vajzave për shkak të gjinisë së tyre – po zvogëlohet me ritme shumë më të ngadalta.

Lajme |-| Në Evropë, për shembull, shkalla e përgjithshme e vrasjeve ra për 43 për qind nga viti 2010 deri në vitin 2022, ndërsa ajo e femicidit ra vetëm për 28 për qind.

Lajme |-| Dhuna në familje: Tetë gra të vrara në Kosovë këtë vit

Lajme |-| Dhuna ndaj grave mbetet një shqetësim i madh edhe në Kosovë, ku deri në fund të tetorit të këtij viti janë regjistruar tetë vrasje grash, kryesisht nga partnerët aktualë ose ish-partnerët e tyre.

Lajme |-| Ky numër shënon shifrën më të lartë të regjistruar brenda një viti që nga viti 2010.

Lajme |-| Vrasja e Arlinda Zekajt, 49-vjeçare, më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës, nxiti protesta masive dhe riktheu në qendër të vëmendjes dështimet institucionale në mbrojtjen e grave nga dhuna.

Lajme |-| Zekaj, për vrasjen e së cilës dyshohet kunati i saj, kishte raportuar vazhdimisht dhunën në familje dhe kishte paralajmëruar institucionet për rrezikun e madh që i kanosej.

Lajme |-| Vetëm një ditë pas kësaj vrasjeje, Kuvendi i Kosovës miratoi një rezolutë që parasheh hetim parlamentar të rastit, si dhe krijimin e mekanizmave efektivë për parandalimin e dhunës ndaj grave, fëmijëve dhe anëtarëve të tjerë të familjes.

Lajme |-| Vetëm gjatë nëntë muajve të parë të këtij viti, Policia e Kosovës regjistroi mbi 2.000 raste të dhunës në familje, çka përkthehet në mesatarisht shtatë deri në tetë raste në ditë.

Lajme |-| Mbi 76 për qind e viktimave të këtyre rasteve ishin të gjinisë femërore.

Lajme |-| Gjatë viteve të fundit, Kosova ka ndërmarrë disa hapa të rëndësishëm ligjorë dhe institucionalë për luftimin e dhunës ndaj grave.

Lajme |-| Në vitin 2020, Konventa e Stambollit – dokumenti kyç ndërkombëtar për parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje – u përfshi në Kushtetutën e Kosovës.

Lajme |-| Ndërsa në vitin 2023 hyri në fuqi Ligji për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna në baza gjinore.

Lajme |-| Në dhjetor të vitit 2024, nëntë vjet pas hyrjes në fuqi të ligjit përkatës, pritet të funksionalizohet edhe sistemi i mbikëqyrjes elektronike. Ky sistem mundëson monitorimin e personave të cilëve u kufizohet lëvizja me vendim gjykate, me qëllim parandalimin e dhunës në familje.

Lajme |-| Megjithatë, organizatat për mbrojtjen e të drejtave të grave vazhdojnë të evidentojnë mangësi të theksuara në zbatimin e legjislacionit.

Lajme |-| Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), gjatë monitorimit të 155 rasteve të dhunës me bazë gjinore nga viti 2021 deri në maj të vitit 2022, identifikoi mangësi në vlerësimin e rrezikut ndaj viktimave, mungesë koordinimi ndërmjet institucioneve, zvarritje të procedurave gjyqësore dhe shqiptim të dënimeve joproporcionale me peshën e veprave penale.

Lajme |-| Shenjat paralajmëruese të dhunës: Çfarë nuk duhet shpërfillur

Lajme |-| Hulumtimet ndërkombëtare tregojnë se nuk ekziston një profil i vetëm psikologjik që karakterizon burrat vrasës të partnereve të tyre, por sjelljet e tyre mund të shfaqin sinjale paralajmëruese shumë kohë përpara se të ndodhë vrasja.

Lajme |-| Sipas ekspertëve të intervistuar nga Radio Evropa e Lirë, rreth 70 për qind e burrave që vrasin partneret e tyre, kanë ushtruar dhunë ndaj tyre edhe më parë, ndonëse jo domosdoshmërisht të raportuar tek autoritetet.

Lajme |-| Kontrolli i vazhdueshëm, kufizimi i kontakteve shoqërore, përndjekja (stokimi) dhe kontrolli i financave janë disa prej sjelljeve që shpesh minimizohen si shprehje e thjeshtë xhelozie.

Lajme |-| Ndër faktorët më të rëndësishëm të rrezikut për femicid renditen: qasja në armë, kërcënimet me vrasje dhe përshkallëzimi i dhunës.

Lajme |-| Rreziku mund të rritet veçanërisht kur një grua përpiqet të largohet nga një partner që ka ushtruar kontroll dhe dhunë ndaj saj.

Lajme |-| Hulumtimet tregojnë, gjithashtu, se shumë autorë të femicidit e shohin dhunën si një mënyrë për të rivendosur autoritetin që besojnë se u është cenuar në marrëdhënie.

Lajme |-| Ekspertët theksojnë se, ndonëse vrasjet nuk mund të parashikohen me siguri të plotë, vlerësimi sistematik i faktorëve të rrezikut mund t’u mundësojë institucioneve të ndërhyjnë në kohë për t’i parandaluar ato.

Lajme |-| Çdo vit, më 25 nëntor, në Kosovë dhe në mbarë botën nis fushata ndërkombëtare “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, e cila përfundon më 10 dhjetor, në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut.

Lajme |-| Kjo fushatë synon të rrisë ndërgjegjësimin për dhunën ndaj grave dhe vajzave, si dhe të nxisë veprime konkrete për parandalimin e saj.