Aksidenti Tragjik në Durrës: Vdesin dy fëmijë, Rama: Zoti u dhëntë forcën prindërve
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar për aksidentin tragjik që ndodhi sot në Durrës, ku humbën jetën dy fëmijë, ndërsa një tjetër ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Rama shprehu keqardhjen e thellë për ngjarjen e rëndë, duke u bashkuar me lutjet për shërimin e fëmijës së tretë, i cili po merr kujdes mjekësor në Spitalin e Traumës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kreu i Qeverisë thekson: “Sapo kemi zbritur në Jerevan të Armenisë për Samitin e Komunitetit Politik Evropian dhe kam mësuar për tragjedinë e pangushëllueshme të humbjes së dy fëmijëve, ndërkohë që fëmija i tretë lufton për jetën nën kujdesin e mjekëve. Zoti bekoftë dy shpirtrat e vegjël, u dhëntë forcën e jashtëzakonshme prindërve për t’i mbijetuar dhimbjes së madhe, ndërkohë që bashkohem në lutjet për shërimin e fëmijës në spital.”
Kryeministri Rama ndodhet aktualisht në Jerevan, Armeni, ku do të marrë pjesë në takimet e Samitit të Komunitetit Politik Evropian.
