Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, deklaroi në një paraqitje për KohaCast se ka informacione mbi nisma për të paditur Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare (UÇK) në Hagë.

Ai theksoi se këto nisma po shfaqen në Gjykatën Kushtetuese, me synimin për të rihapur çështje të lidhura me Tribunalin e Hagës, konkretisht për paditjen e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare për krime lufte.

Sipas Ahmetit, rihapja e “plagëve të vjetra” shkakton dhimbje më të thellë sesa hapja e atyre të reja. Ai nënvizoi se këto janë çështje “të mbyllura prej më shumë se 20 vitesh”.

Më tej, Ahmeti iu referua zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, duke theksuar se palët shqiptare kanë mbajtur barrën kryesore në avancimin dhe promovimin e saj. Në të njëjtën kohë, ai kritikoi subjektet politike maqedonase, duke vlerësuar se angazhimi i tyre ka qenë i pamjaftueshëm për të shpjeguar rëndësinë e kësaj marrëveshjeje te qytetarët maqedonas.

Ai kundërshtoi bindjen se zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit nënkupton humbjen e shtetësisë apo sovranitetit nga ana e maqedonasve. Përkundrazi, ai theksoi se nga ky dokument kanë përfituar njësoj si shqiptarët, ashtu edhe maqedonasit.

Ahmeti veçoi miratimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve si një prej pengesave madhore gjatë procesit të zbatimit të marrëveshjes, proces që, sipas tij, u përmbyll vetëm në vitet 2016-2017. Në përfundim, ai e përshkroi Marrëveshjen e Ohrit si një kompromis historik, i cili mbrojti karakterin multietnik të shtetit dhe parandaloi mundësinë e ndarjes territoriale të vendit.