Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka përkujtuar sot me pietet dy heronjtë e kombit, Fehmi dhe Xhevë Lladrovcin, në 28-vjetorin e rënies së tyre. Ahmeti theksoi rolin e tyre si pjesë e një gjenerate veprimtarësh të përkushtuar ndaj luftës për lirinë e Kosovës.

Përmes një postimi në platformën “Facebook”, lideri i BDI-së përshkroi Fehmi Lladrovcin si një mik të ngushtë, bashkëmendimtar dhe bashkëluftëtar, me të cilin kishte ndarë idealet dhe rrugëtimin për lirinë e Kosovës, shumë kohë para themelimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

“Fehmiu dhe Xheva ishin pjesë e asaj gjenerate të veprimtarëve të lëvizjes kombëtare që nuk u pajtuan kurrë me robërinë,” citohet të ketë shkruar Ahmeti.

Ai ka risjellë në kujtesë rënien e çiftit Lladrovci më 22 shtator 1998, gjatë betejës së Drenicës.

“Më 22 shtator 1998, në betejën e Drenicës, Fehmiu dhe Xheva ranë krah për krah, ashtu siç kishin jetuar: bashkë në jetë, në ideal dhe në luftë,” theksoi Ahmeti.

Ahmeti nënvizoi se kujtimi për Fehmi dhe Xhevë Lladrovcin do të mbetet i përjetshëm. Duke shprehur ndjenjat e tij të thella personale, Ahmeti shkroi: “Vëlla Fehmi, 28 vjet pas rënies sate, më mungon njësoj. Por kujtimi për ty dhe Xhevën është i përjetshëm. Pushoni të qetë, vëlla Fehmi e motër Xhevë. Flamuri për të cilin dhatë jetën sot valon i lirë. Lavdi e përjetshme!”