**Alis Kallaci falënderon me zemër pas performancës dinjitoze në Eurovision**
Këngëtari Alis Kallaci ka përmbyllur pjesëmarrjen e tij në “Eurovision Song Contest” me një performancë dinjitoze, duke u renditur në vendin e 13-të me këngën “Nan”. Pas përfundimit të garës, mesazhi i tij falënderues në rrjetet sociale ka prekur thellë publikun shqiptar dhe atë evropian, duke shënuar një epilog të ngrohtë të kësaj eksperience ndërkombëtare.
Gjatë gjithë periudhës së konkursit, artisti i ri arriti të tërhiqte vëmendjen me interpretimin e tij plot ndjenjë dhe prezantimin e kujdesshëm në skenën ndërkombëtare. Ai gëzoi një mbështetje të madhe nga fansat, të cilët e shoqëruan me komente, vota dhe mesazhe inkurajuese gjatë gjithë rrugëtimit të tij.
Menjëherë pas finales, Alisi zgjodhi “Instagram-in” për të shprehur mirënjohjen e tij ndaj të gjithë atyre që e mbështetën gjatë kësaj eksperience të rëndësishme për karrierën e tij artistike.
“Kur nisi gjithçka, m’u duk si diçka shumë më e madhe se vetja ime”, shkruante ai, duke pranuar se fillimisht kishte ndier pasiguri përballë përgjegjësisë së madhe që shoqëron përfaqësimin e një vendi në një skenë kaq prestigjioze si Eurovisioni.
Artisti theksoi se mbështetja e pandalshme e publikut ishte burimi i tij më i madh i forcës. Sipas tij, dashuria, votat dhe fjalët inkurajuese nga shqiptarët i kishin dhënë ndjesinë se nuk ishte vetëm në këtë rrugëtim. “Mbështetja, dashuria, votat, mesazhet dhe fjalët tuaja kanë pasur një vlerë që nuk di ta shpjegoj me fjalë. Në çdo moment kam ndier që nuk isha vetëm dhe kjo është ndjesia më e bukur që mund të marrë një artist”, u shpreh Alisi.
Alisi shtoi se kjo eksperiencë do të ruhet gjatë në kujtesën e tij, pasi i dha jo vetëm mësime të vlefshme artistike, por edhe emocione të thella personale. “Faleminderit secilit prej jush që besoi tek unë dhe tek muzika ime. Faleminderit që më keni bërë të ndihem krenar në çdo hap të këtij udhëtimi dhe që ma keni kthyer këtë eksperiencë në diçka që do ta mbaj gjithmonë në zemër”, vijoi mesazhin ai.
Postimi i tij u shpërnda gjerësisht në rrjetet sociale, ku mijëra ndjekës e përgëzuan për përfaqësimin dinjitoz të Shqipërisë dhe për sinqeritetin e tij pas garës.
Përmes fjalëve të tij, Alisi ritheksoi se ky rrugëtim në Eurovision nuk do të kishte pasur të njëjtin kuptim pa mbështetjen e pakursyer të publikut. “Kam mësuar shumë nga ky rrugëtim, kam përjetuar emocione që nuk harrohen dhe mbi të gjitha kam kuptuar sa e fortë është ndjenja kur ke njerëz që të mbështesin me gjithë zemër. Ky rrugëtim nuk do të kishte të njëjtin kuptim pa ju”, përfundoi artisti.
