Leutrim Retkoceri, drejtor i Shërbimeve Publike në Prishtinë, njoftoi se janë pastruar 55 vendndodhje të mbushura me mbeturina në kryeqytet. Ai shprehu shpresën se thirrjet nga kandidatët për pastrim, në kohë fushate, nuk do të shërbejnë si fushatë politike, por si ndërgjegjësim real, duke theksuar konfliktin institucional mes komunës dhe ministrisë në lidhje me menaxhimin e mbetjeve.
Kjo deklaratë vjen teksa kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e cilësoi situatën me mbeturinat në Kosovë si emergjente, megjithëse ditët e fundit ka nisur largimi i mbetjeve të mëdha nga disa zona të Prishtinës.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Retkoceri shpjegoi se sasia e madhe e mbetjeve voluminoze është akumuluar si pasojë e një vendimi të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. “Arsyeja pse ka pasur një volum kaq të madh mbeturinash është se për dy muaj rresht nuk janë marrë mbetjet voluminoze dhe inerte nga kryeqyteti, pasi Ministria e Mjedisit lëshoi një vendim që bllokoi deponinë në Matiçan për këto mbetje. Kompanitë nuk kanë mundur t’i dërgojnë askund tjetër, pasi nuk i kanë pranuar as në deponinë e Mirashit,” theksoi ai.
Ai foli edhe për hapat që komuna ka ndërmarrë për menaxhimin e situatës dhe zgjidhjen afatgjate të problemit. “Kemi ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për sigurimin e vendndodhjeve dhe procedurën për të ndërtuar një qendër tranzitore të mbetjeve voluminoze, ku ato do të grumbullohen, ndahen, klasifikohen dhe shpërndahen në deponitë qendrore, siç e kërkon edhe legjislacioni,” u shpreh Retkoceri. Ai shtoi se aksioni është pritur jashtëzakonisht mirë nga qytetarët, por vuri në dukje se mbeturinat ilegale shpesh vendosen pranë kontejnerëve nga qytetarë që nuk jetojnë në ato lagje.
Duke folur për gjendjen aktuale, Retkoceri tha se janë identifikuar 72 vendndodhje problematike, prej të cilave 55 janë pastruar tërësisht deri më tani. “Ka mbetur edhe një numër i vogël vendndodhjesh pa përfunduar, dhe shumë shpejt do t’i përfundojmë edhe ato. Do të kujdesemi për mirëmbajtjen, për çka kërkojmë ndihmën e të gjithë qytetarëve dhe personave që mund të kontribuojnë në identifikimin e kryerësve të këtyre veprimeve dhe në lokalizimin sa më të shpejtë të vendeve ku duhet intervenuar,” theksoi ai.
Sa i përket deklaratës së Kurtit, drejtori i Shërbimeve Publike uroi që thirrjet e tilla të mos shërbejnë si pjesë e fushatës politike. “Kjo ka qenë e nevojshme prej shumë kohësh. Thirrja tani në fushatë zgjedhore nga kandidatët, shpresoj të mos shërbejë si fushatë politike, por të jetë një fushatë vetëdijesuese që i përgjigjet nevojës së vendit,” tha ai. Retkoceri vuri në dukje kontradiktën: “Përderisa ministrja në detyrë e Mjedisit, bashkë me inspektorë, kishte lëshuar një vendim për të ndaluar dhe bllokuar një deponi për mbeturina voluminoze, kemi parë thirrje për të dalë dhe pastruar qytetin. Kjo nuk përputhet. Ne nuk duhet të udhëhiqemi nga politika që bllokojnë njëra-tjetrën në nivel qendror dhe lokal. Duhet të udhëhiqemi nga parimi i ofrimit të shërbimeve sa më të mira për qytetarët, për të përmbushur detyrimin përfaqësues,” shtoi Retkoceri.
Nga ana tjetër, kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe ministrja në detyrë Fitore Pacolli prezantuan të mërkurën një paketë të re për largimin e deponive ilegale të mbeturinave në të gjithë Kosovën. Gjatë prezantimit, u shpalosën masa institucionale për pastrimin e hapësirave publike dhe trajtimin e ndotjes mjedisore, përmes një aksioni të ri mbarëkombëtar. Kurti theksoi se gjendja me mbeturinat është serioze, duke e konsideruar emergjente në disa zona, dhe vuri në dukje nevojën për ndërhyrje të menjëhershme institucionale. Ai njoftoi përgatitjen e një projektligji të ri dhe një aksioni kombëtar me buxhet prej 1 milion euro, që synon largimin e rreth 500 deponive ilegale në mbarë vendin.
Aksioni i drejtorisë së Shërbimeve Publike në Prishtinë për largimin e mbetjeve voluminoze ka nisur më 16 maj.
