**Alpinist 30-vjeçar humb jetën pas rrëzimit tragjik prej 200 metrash në malet e Zvicrës**
Një alpinist 30-vjeçar ka gjetur vdekjen pas një aksidenti tragjik në kantonin e Friburgut, Zvicër. Ngjarja fatale ndodhi gjatë zbritjes nga maja e Dent de Lys.
Sipas njoftimit të policisë kantonale, incidenti ndodhi të enjten pasdite, rreth orës 16:00. Dy alpinistë po kryenin një ngjitje malore nga zona e Les Paccots, përmes majës Dent de Lys, me destinacion Sciernes d’Albeuves.
Gjatë fazës së zbritjes nga maja, njëri prej tyre u rrëzua dhe ra rreth 200 metra në një greminë.
Shërbimi ajror i shpëtimit Rega ndërhyri menjëherë në vendngjarje, por 30-vjeçari nga kantoni Vaud u nxor i pajetë.
Prokuroria ka nisur një hetim për të zbardhur rrethanat e plota të aksidentit, ndërsa shkaqet e rrëzimit mbeten ende të paqarta. Viktima ndodhej në shoqërinë e një alpinisti tjetër 28-vjeçar nga kantoni i Friburgut në momentin e ngjarjes.
