Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka bërë një reagim në rrjete sociale, si përgjigje ndaj ofertës së LVV-së për t’u propozuar tre emra të përbashkët për president, nga LDK-ja dhe PDK-ja.
Në postimin e tij, Abdixhiku i tha Kurtit të përcaktohet nëse don marrëveshje politike me LDK-në apo votat e PDK-së, transmeton IndeksOnline.
“Por, nëse doni marrëveshje politike me LDK-në, atëherë flisni me ne. Presidentin e propozojmë ne me plot përgjegjësi. Mund ta propozojmë edhe Vjosa Osmanin, nëse na i garantoni 66 vota për të” ka thënë Abdixhiku.
Ky është postimi i plotë i tij:
I nderuar Kryeministër Kurti,
Meqë po komunikojmë në distancë,
Ju lutem përcaktohuni a doni marrëveshje politike me LDK-në, apo i doni 90 vota edhe me PDK-në. Nëse është kjo e dyta dhe nuk mundeni pa ta, atëherë nuk mund t’ju ndihmojmë. Kur të merreni vesh, e trajtojmë.
Por, nëse doni marrëveshje politike me LDK-në, atëherë flisni me ne. Presidentin e propozojmë ne me plot pergjegjësi. Mund ta propozojmë edhe Vjosa Osmanin, nëse na i garantoni 66 vota për të.
Ju faleminderit!
