**Lladrovci: PDK mund të zbusë tensionet duke propozuar kandidatin për president**

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka komentuar zhvillimet aktuale politike në lidhje me procesin e zgjedhjes së presidentit të ri.

Sipas Lladrovcit, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka mundësinë të ndikojë në uljen e tensioneve politike duke paraqitur një emër të caktuar për kandidat për president.

“Ndryshe, keqpërdorimi i zgjedhjeve për motive të dobëta do të jetë kryefjalë e udhëheqësve aktualë, të katër partive në Parlament,” theksoi Lladrovci në një postim të tij. Ai shtoi se, pa dashur të bëjë gjykatësin, “PDK-ja është me më pak faj, megjithëse mund t’i zbusë tensionet duke dhënë emrin e kandidatit për president.”

Në postimin e tij të plotë, Lladrovci shprehu dëshpërimin për mungesën e fuqisë përbashkuese në Kosovë, duke vënë në pah se askush nuk duhet të vendosë veten mbi interesat e vendit. Ai kritikoi ashpër mungesën e marrëveshjes dhe konsensusit në politikën kosovare, duke theksuar se lojërat politike mund të ishin ndalur muaj më parë, kur qarkullonin emra si Glauk Konjufca dhe Albulena Haxhiu.

Lladrovci sugjeroi se “një befasi” mund të vinte nga tri partitë politike, duke emëruar një kandidat konsensual dhe jo tre, i cili mund të bëhej publik shpejt dhe të ndalte spekulimet për presidentin, si dhe kërcënimin e zgjedhjeve të parakohshme. Ai përmendi konkretisht emrin e Murat Jasharit, duke e cilësuar atë si një kandidat “përtej matematikave ekzistuese.”