Akademia e Dukagjinit ka përmbyllur nismën “Praktika të Suksesshme në Mësimdhënie dhe Nxënie” me një ceremoni ku u vlerësua angazhimi i pjesëmarrësve dhe u ndanë certifikata, raporton Ekonomia Online.
Drejtori ekzekutiv i Akademisë Dukagjini, Blerim Muhaxhiri, tha se praktikat e prezantuara do të kenë ndikim më të gjerë në sistemin arsimor.
“Praktikat që keni prezantuar gjatë gjithë këtyre muajve, nuk do të mbesin vetëm në këtë sallë, por ato do të botohen dhe do të shpërndahen në të gjitha shkollat e Kosovës. Në mënyrë që të shërbejnë si model, si frymëzim, si udhërrëfyes praktik për të gjithë mësimdhënësit e tjerë në punën e tyre të përditshme”, theksoi Muhaxhiri.
Mësimdhënësja Donjetë Latifaj theksoi rëndësinë e qasjeve inovative në procesin mësimor.
“Në këtë frymë, unë pata kënaqësinë që të ndaj një metodë, një praktikë të suksesshme atë ditë, e quajtur ‘Six Hats Method’, ose në gjuhën angleze—meqë vij nga fusha kurrikulare dhe lënda e gjuhës angleze—’Gjashtë Kapelet’ e Eduard de Bonos. Dhe me thënë të drejtën, ajo qasje inovative ju pëlqeu të gjithëve, edhe e pashë që është e kohës, relevante” potencon Latifaj.
Mësimdhënësi Hajriz Tahiri vlerësoi ndikimin që nisma pati në zhvillimin profesional dhe personal të pjesëmarrësve.
“Por ndryshimi më i vlefshëm në këtë histori nuk ishin vetëm shkollat dhe përvojat tona akademike. Ndryshimi erdhi në mendjen tonë kolektive. Nga frika në guxim, nga heshtja në zë, nga mungesa e mundësive në krijimin e tyre”, u shpreh ai.
Profesori Bardhyl Musai tha se, megjithë progresin, arsimi kërkon përkushtim të vazhdueshëm për përmirësim.
“Sot, Kosova ka bërë përparime të dukshme. Shkollat janë më të strukturuara, mësuesit më të përgatitur, sistemi më i qëndrueshëm. Por në të njëjtën kohë, ne nuk mund të jemi plotësisht të kënaqur, sepse arsimi është një fushë që nuk njeh vetëkënaqësi. Ai kërkon përmirësim të vazhdueshëm”, tha ai.
Kjo nismë kishte nisur në nëntor të vitit 2025 dhe synonte promovimin e praktikave bashkëkohore në mësimdhënie.





