**Emiratet e Bashkuara Arabe ndryshojnë kurs: Dorëzojnë kriminelët e kërkuar ndërkombëtarisht**

**DUBAI –** Emiratet e Bashkuara Arabe kanë nisur një fushatë të përshpejtuar për ekstradimin dhe arrestimin e kriminelëve të kërkuar ndërkombëtarisht, duke sinjalizuar një ndryshim të rëndësishëm në politikën e tyre. Kjo strategji e re, e analizuar nga “Corriere della Sera”, synon të forcojë mbështetjen diplomatike ndërkombëtare dhe të pastrojë imazhin e vendit si strehë e sigurt për bosët e krimit.

Prej njëfarë kohe, autoritetet e Emirateve kanë intensifikuar bashkëpunimin me qeveritë e huaja, duke ekstraduar një numër të konsiderueshëm personash me dosje të rënda kriminale. Vetëm pak ditë më parë, policia arrestoi një person të dyshuar për urdhërimin e një vrasjeje të parandaluar në Qipro, ngjarje e lidhur me krimin e organizuar të Evropës Lindore.

Një rast i ngjashëm ishte arrestimi i Endikun, i njohur si “Zëri” ose “Fantazma”, bosi i mafies greko-ruse. Ai ishte shndërruar në mbret të klubeve të natës në Athinë, organizator i kontrabandës së cigareve dhe karburanteve, si dhe përgjegjës për një sërë atentatesh. Edhe në këtë rast, lidhja me Qipron rezultoi fatale, pasi identiteti i tij u zbulua gjatë një videotelefonate. Për vite me radhë, autoritetet greke e dinin se ai fshihej në Gjirin Persik, por arrestimi i tij u bë i mundur vetëm kohët e fundit.

Në gusht, Daniel Kinahan, irlandezu që drejtonte klanin me të njëjtin emër dhe pjesë e “superkartelit”, u ekstradua. Ndaj tij kishte dosje të shumta gjyqësore dhe autoritetet amerikane kishin vendosur një shpërblim për kapjen e tij, por arrestimi i dha fund aktiviteteve të tij të paligjshme. Dorëzimi i tij pati një rëndësi simbolike, duke u paraprirë nga veprime të ngjashme në një proces të intensifikuar gjatë vitit 2024.

Sipas burimeve të cituara nga “Wall Street Journal”, autoritetet e Emirateve kanë kthyer në vendet e tyre: 28 shtetas francezë; 23 shtetas belgë; 16 shtetas shqiptarë; rreth 12 shtetas danezë dhe holandezë; disa shtetas aziatikë; si dhe një numër të konsiderueshëm mashtruesish kibernetikë. Veçanërisht i bujshëm ishte operacioni që çoi në sekuestrimin e miliarda dollarëve të lidhur me mashtrime online, ku përfshiheshin persona që vepronin nga Dubai.

Shumë figura të botës kriminale kishin mbërritur në Emirate për të investuar dhe pastruar të ardhurat e paligjshme, si dhe për t’u shpëtuar hakmarrjeve. Anëtarët e “DZ Mafias”, rrjeti që kontrollon tregtinë e drogës në Marsejë, kishin blerë apartamente luksoze në rrokaqiejt e Dubait, prona të cilat tashmë janë sekuestruar. Një aventurier nigerian, përgjegjës për mashtrime të mëdha online, i cili shfaqej hapur në rrjetet sociale me luks të tepruar, përfundoi gjithashtu pas hekurave.

Për një kohë të gjatë, autoritetet duket se kishin toleruar praninë e tyre, por tani kanë vendosur t’i japin fund kësaj situate për disa arsye. Lufta ka shkaktuar një krizë të thellë, duke e bërë të nevojshme për Emiratet mbështetjen diplomatike ndërkombëtare. Ndër të tjera, ato po kërkojnë të emërojnë një diplomate të tyre në postin e Sekretares së Përgjithshme të OKB-së. Në disa raste, dorëzimi i kriminelëve është kryer në këmbim të “shpërblimeve” politike ose ekonomike.

Një tjetër synim ka qenë largimi i etiketimit të Emirateve si një “Tortuga e re”, duke iu referuar ishullit historik që shërbente si strehë për piratët. Si pasojë e këtyre veprimeve, Emiratet janë hequr nga lista gri e vendeve me rrezik për pastrim parash.

Megjithatë, ende mbetet shumë për t’u bërë. Ekspertët theksojnë se disa bosë të krimit, të alarmuar nga kjo politikë e re, po mendojnë të zhvendosen drejt vendeve të tjera, ku do të ishin më pak të ekspozuar ndaj arrestimit. Procedurat për ekstradimin e një krimineli mund të zgjasin shumë, duke kërkuar misione teknike dhe bisedime diplomatike.

Dubai mbetet një qendër e rëndësishme financiare, ku veprojnë edhe ndërmjetës të Gardës Revolucionare iraniane (Pasdaranët) dhe oligarkë rusë, të dyshuar për shkelje të sanksioneve ndërkombëtare. Komuniteti i personave të kërkuar nga drejtësia mbetet i konsiderueshëm. FBI-ja sapo ka përfshirë në listën e saj Mary Carol McDonnell, një amerikane 75-vjeçare, e cila dyshohet se ndodhet në Dubai, pas mashtrimeve bankare me dhjetëra miliona dollarë.